Halimi: Dhuna ndaj të moshuarës duhet të troket në ndërgjegjen e secilit dhe të secilës - NACIONALE

Halimi: Dhuna ndaj të moshuarës duhet të troket në ndërgjegjen e secilit dhe të secilës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar ndaj videos ku një infermiere shihet duke ushtruar dhunë ndaj një të moshuare në një qendër të moshuarve në Pejë.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se është e dhimbshme ta shohësh një grua të moshuar, të cilës në shtëpinë e të moshuarve përveç pensionit dinjitoz, i mungon edhe përkujdesi njerëzor.

“Është e dhimbshme ta shohësh një grua të moshuar, të cilës në shtëpinë e të moshurave, përveç pensionit dinjitoz, i mungon edhe minimalja për jetë e dinjitet, përkujdesi njerëzor. Pa e parë me zë dhe me figurë nuk e beson se diçka e tillë mund të ndodh. Zonja në fjalë, veç halleve të moshës, sulmohet fizikisht nga disa vajza të reja, që e kanë humbur çdo fije lidhëse me njerëzoren. Duke kërkuar dënim për këtë akt mizor, mbetem me shpresë që ky rast të troket në ndërgjegjen e secilit e secilës, që kujdesi për të moshuarit të jetë përgjegjësia jonë e çdoditshme!”, ka shkruar ajo.

Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar më herët nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.

Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere.

Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.

Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.

Ngjarja ka ndodhur në një dom të pleqve privat në Pejë, i cili quhet “Orenda”.

Të gjitha ngjarjet dhe reagimet mund t’i përcillni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme