Fruta të thata, kërpudha, akullore dhe GIN Kosove - Në panair duke njoftuar prodhues të veçantë vendor - NACIONALE

Fruta të thata, kërpudha, akullore dhe GIN Kosove - Në panair duke njoftuar prodhues të veçantë vendor

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan Vullnet Krasniqi dhe Anita Nikaj.

Pllatoja dhe sallat e kuqe të Pallatit të Rinisë janë të mbushura me stenda të kompanive vendore dhe ndërkombëtare nga sektori i agrobiznesit, të cilët po marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit AGROKOS. Nacionale ishte në panair për të folur me prodhues dhe kompani vendore. Me fokus ato që drejtohen nga gratë. Por jo vetëm. Këto janë ato që pash.

Tespishte dhe çaj mali

Në hyrje të Panairit, që është i 22-ti me radhë që organizohet në Pallatin e Rinisë, gjendet Sabile Gjaka, nga Vushtrria. Ajo është pak e lodhur.

Dje kom nejt këtu deri vonë, është dashtë me shku të shpija me përgadit ushqime dhe me ardh këtu”, thotë ajo. Tespishte, është ëmbëlsira e saj më e shitur me kompaninë që ka krijuar vet, “Nga duart e arta”. Tespishte është një ëmbëlsirë e thjeshtë kosovare e bërë duke zier vajin me qumësht ose ujë dhe më pas duke e kombinuar përzierjen me miell, vezë dhe pluhur për pjekje për të formuar një brumë që më pas mund të kombinohet edhe me arra ose lajthia.

Ajo funksionon që 3 vjet dhe thotë se tek tash ka arritur të krijoj një klientelë. Për të Panairi në të cilin merr pjesë po i ndihmon për të zgjeruar klientelën. Ajo është vet pronare e punëtore në kompaninë e saj.

Po shtohen këso biznese që janë të drejtume prej grave”, thotë ajo. Me këtë biznes që ajo e bënë, thotë se është burimi kryesor i të ardhurave. “Burrin e kam veç me një pension”, thotë ajo.

Më thellë në Panair, brenda Sallës se Kuqe, gjendet një tjetër biznes i tillë, i drejtuar nga një vajzë. “Botanica” është emri i kompanisë dhe drejtohet nga një vajzë nga Skenderaj. Erona Veliu dhe motra e saj, përpunojnë lloje të ndryshme të çajit. Në Panair thotë se po zgjerojnë klientelën por këtë po e arrijnë më shumë duke përpunuar bimë të ndryshe për çajra.

Zakonisht është problem deri sa dikush e provon çajin, tani nuk bohet problem”, thotë Veliu.

Për të është e rëndësishme pjesmarrja në Panair sepse i ndihmon të rrjetëzohet.

Fruta të thata që importojmë dhe këpurdha që eksportojmë

Në Sallën e Kuqe sapo hynë mund ta nuhatësh aromën këpurdhave. Shumë kompani të ndryshme, pjesmarrëse në këtë Panair merren me këpurdhat. Një nga to është edhe një kompani nga Klina “Euro Mushrooms”. Aty janë të ekspozuara edhe këpurdhat “tartuf” që janë më të shtrenjtat në treg.

I kemi ble dikun 6-7 qenë që kushtojnë diku 10 mijë euro një, që kanë kapacitet të nuhasin këprudhat tartuf. Ata jane të trajnuar për këtë punë. Por ka pak interesim këtu”, thotë Shqipdon Elezaj nga kjo kompani. “Ska treg në Kosovë”, thotë ai.

Por disa investitor nga vende të ndryshme, kanë ardhur pikërisht në Kosovë për të hapur një biznes që merret me biznesin e këpurdhave. “Hirano dhe Oriental Mushrooms” është emri i kompanive që prodhojnë disa lloje të këpurdhave.

Ne vetëm eksportojmë në vendet e Bashkimit Evropian. Nejsë tash i bie në Mbretërinë e Bashkuar më shumë sepse ajo nuk është në BE. Vendet tjera janë Holanda dhe Austria”, thotë Hasan Lahu, drejtor i kësaj kompanie. Por teksa këpurdhat prodhohen dhe shiten jashtë, kompanitë që përpunojnë fruta të thata, por i importojnë nga vende të tjera.

Një nga to është edhe kompania “Kralini Group” që funksionon që dy vite. Melisa Statovci, që ishte në stendën e kësaj kompanie që përpunon fruta të thata, thotë se disa prej frutave i importojnë nga vende të ndryshme për shkak se nuk mund të bëhen në Kosovë.

Por disa prej frutave si arrat dhe lajthiat po mundohemi që t’i sigurojmë në Kosovë”, thotë ajo, teksa e vlerëson Panairin si një mundësi e mirë për të krijuar raporte me klientelën. Njejtë funksionon edhe kompania “Frutlon” në Lipjan që është hapur që dy vite.

Akullore dhe Gin Kosove

Një nga produktet që hasa në Panair e që më bëri përshtypje ishte edhe ajo e akulloreve nga Kosova. “LB Group” nga Lipjani ka 12 vite që funksionon. Enis Osmani nga kjo kompani thotë se në Panair po gjejnë treg në Kosovë dhe rajon.

Sidomos në Maqedoni dhe Mal të Zi”, thotë Osmani. Kompania e tij thotë se është e shtrirë dhe partnere e shumë biznesve të gastronimisë në Kosovë. Aty i ka të reklamuara disa prej tyre që janë të njohura në Kosovë.

Brenda salles, është një kompani që nuk shkon me akullore. Prodhon alkool. Emrin e ka “Fron” dhe është nga Istogu. Ai ka ankesa për Panairin duke thënë se nuk po bëjnë shumë marketing. Adnan Radoniqi, agjent i kësaj kompanie, thotë se produkti që krenohet kompania është “gini nga Kosova”.

Është i bërë nga gdhinja lokale, vendore dhe është i cilësisë më të mirë në rajon”, thotë ai. E provoj një gotë si fans i “Gin tonikut” por atij nuk i pëlqen ky kombinim. “Këtë Gin duhet ta pish të pa përzier”, thotë ai.

Unë e provova dhe përnjëmend ishte super. Aq super sa edhe e vazhdova me një gotë tjetër. Pjesa tjetër, mbetet brenda Sallës së Kuqe. Shkoni dhe vizitoni Panairin.

Lajme të ngjashme