Erëra të forta, shi e borë: Policia dhe Komuna e Prishtinës me apel për qytetarët - NACIONALE

Erëra të forta, shi e borë: Policia dhe Komuna e Prishtinës me apel për qytetarët

2 javë më parë

nga NACIONALE

Foto ilustrim

Temperatura të ulëta po mbizotërojnë në Kosovë, me erëra të forta, reshje shiu, derisa priten edhe reshje bore.

Policia e Kosovës në një komunikatë të publikuar pasditen e së premtes, ka kërkuar kujdes nga pjesëmarrësit në komunikacion, derisa kanë ndodhur edhe disa aksidente.

“Orëve të fundit mbi vendin tonë kanë vazhduar të reshura të shiut të shoqëruara me erë, kjo ka bërë që në disa lokacione disa rrugë të jenë të mbuluara nga uji, po ashtu tani në orët e vona dukshmëria të ulet ndjeshëm.

Gjatë kësaj kohe, janë raportuar të kenë ndodhur edhe aksidente në rrugët e vendit, përfshirë aksidente në autostradë.

Njësitet policore janë në teren të mobilizuara për të shtuar sigurinë në trafik dhe po trajtojnë aksidentet që kanë ndodhur.” – thuhet në njoftim.

Tutje, policia ka apeluar veçanërisht drejtuesit e automjeteve që të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës në anën tjetër, ka njoftuar qytetarët se priten erëra të forta me reshje shiu, e më pas edhe reshje bore.

Komuna ka kërkuar qytetarët që të kenë kujdes veçanërisht:

“• Siguroni objektet e lëvizshme në ballkone ose oborre për të shmangur dëmet nga era.

• Reduktoni lëvizjet e panevojshme në kushte të motit të rënduar.

• Kujdesuni për sigurinë në trafik dhe shmangni parkimin pranë pemëve ose objekteve të rrezikshme”.

Në fund, komuna ka publikuar edhe numrat emergjent:

“Ekipet tona të emergjencave janë në gatishmëri të plotë për çdo situatë të mundshme. Për ndihmë apo raportime, mund të kontaktoni Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca në numrin 0800 122 33 ose 122 44.”

Lajme të ngjashme