Endometrioza: dhimbjet nga cikli menstrual për të cilin Kosova s’ka asnjë të dhënë
Shkruan: Donika Gashi dhe Urte Fultinaviciute
1 në 10 gra në gjithë botën vuajnë nga endometrioza. Natyrshëm, përjashtim nuk përbën as Kosova, ndonëse zyrtarisht nuk ka asnjë të dhënë.
Endometrioza është një çrregullim ku indet që zakonisht rriten brenda mitrës, zhvillohen jashtë saj. Rrjedhimisht, gratë përballen me dhimbje gjatë ciklit menstrual dhe dhimbje të pashpjegueshme në abdoem që rrallëherë diagnostifikohen.
Periudha që i duhet një gruaje në Kosovë të diagnostifikohet me endometriozë sipas saj, zgjatë nga tre deri në 12 vjet. E kur kjo gjë ndodh, zakonisht ato janë në fazën e fundit “kur cistat veçse janë të formuara, kur pacientet kanë dhimbje të madhe apo kur ankohen për infertilitet”, shton Nushi.
Sipas Nushit, simptomat e endometriozës zakonisht lidhen edhe me simptoma të tjera siç janë ankthi, dhimbjet menstruale apo dhimbjet gjatë aktit seksual. Në rastet e rralla kur këto paciente diagnostifikohen mund të kryhet një ndërhyrje kirurgjike por sërish kjo nuk garanton shërim të plotë.
Më poshtë mund ta lexoni një artikull që krahason Kosovën, Republikën Çeke dhe Britaninë e Madhe sa i përket ngritjes së vetëdijes për endometriozë
Artikulli i plotë: Endometrioza, dhimbja kronike që nuk njihet
Dhimbjet nga cikli menstrual janë pjesë e jetës së një gruaje, pranoje! Këso komentesh kanë pranuar shumë gra të cilat vuajnë nga dhimbjet menstruale. Por a janë dhimbjet normale? Shumë dhimbje që lidhen me ciklin menstrual, vazhdojnë të mos trajtohen si duhet. Një prej tyre është edhe endometrioza. Ndonëse kjo sëmundje prek 1 në 10 gra, sërish ka mungesë të hulumtimeve dhe avokimit, duke i lënë shumë gra që vuajnë nga endometrioza në mungesë informacioni.
“Nuk është normale të jesh në dhimbje për 20 ditë të muajit dhe të marrësh medikamente në mënyrë që të vazhdosh jetën”, thotë Mel Gorlich, një paciente 26 vjeçare nga Republika Çeke, e cila është diaganostifikuar me endometriozë përmes laparoskopisë. Tani ajo është vullnetare në një organizatë që fokus ka ngritjen e vetëdijes për gratë që vuajnë nga endometrioza. Deri më tani nuk ka një kurë për trajtimin e kësaj sëmundje dhe mënyrat e vetme janë përmes medikamenteve siç janë kontraceptivët apo edhe intervenimi kirurgjik për t’i larguar indet endometriale.

Për tu diagnostifikuar me këtë lloj sëmundje mjekëve i duhen vite, por edhe vet pacientet nuk janë të vetëdijshme se çfarë në fakt është endometrioza. Shtete si Kosova nuk kanë as një sistem mbështetës për pacientët me endometriozë dhe nuk dihet numri i grave të prekura me këtë sëmundje. Republika Çeke në anën tjetër ka bërë disa lëvizje, sidomos me organizata joqeveritare siç është ENDO Talks, që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për endometriozë. Kurse në Britani të Madhe, ka lëvizje pozitive në këtë drejtim por sërish gratë nuk janë të vetëdijshme për endometriozën.
Mungesa e vetëdijes për endometriozë në Kosovë
Për gratë e shtetit më të ri në Evropë, endometrioza është pothuajse sëmundje e panjohur pasi ky shtet nuk posedon asnjë të dhënë për pacientet e prekura nga kjo sëmundje. Përderisa sipas gjinekologes, Trina Nushi, në Kosovë nuk ekziston ndonjë tabu sa i përket shëndetit riprodhues të grave sërish endometrioza është temë e panjohur. Sipas saj, kjo ndodh për shkak të mungesës së vetëdijes dhe kohës së gjatë që merr diagnostifikimi me këtë sëmundje.
Periudha që i duhet një gruaje në Kosovë të diagnostifikohet me endometriozë sipas saj, zgjatë nga tre deri në 12 vjet. E kur kjo gjë ndodh, zakonisht ato janë në fazën e fundit “kur cistat veçse janë të formuara, kur pacientet kanë dhimbje të madhe apo kur ankohen për infertilitet”, shton Nushi.

Sipas saj, simptomat e endometriozës zakonisht lidhen edhe me simptoma të tjera siç janë ankthi, dhimbjet menstruale apo dhimbjet gjatë aktit seksual. Në rastet e rralla kur këto paciente diagnostifikohen mund të kryhet një ndërhyrje kirurgjike por sërish kjo nuk garanton shërim të plotë.
“Ndërhyrjet kirurgjike janë kryesisht ato ndërhyrje laparoskopike në mënyrë që të gjenden indet e zgjatura”, shton ajo.
Në Kosovë ka mungesë të numrit të saktë të grave të diagnostifikuara me endometriozë si dhe mungesë të vetëdijes nga gratë, prandaj kjo sëmundje sipas saj nuk trajtohet si duhet as nga shteti, sistemi shëndetësor apo edhe nga vet shoqëria.
“Mbështetja e vetme që këto gra marrin është nga mjekët e tyre. Në Kosovë nuk ka një Asociacion për Endometriozë, që normalisht do i adresonte problemet e këtyre grave”, shprehet Nushi.
Sipas saj, është një nevojë e menjëhershme që të ketë ngritje të vetëdijes së qeverisë dhe shoqërisë sa i përket endometriozës, por sipas saj kjo duhet të nisë fillimisht nga doktorët e më pas pacientët.
“Ka shumë vend për përmirësim së pari në mes të mjekëve, duke filluar nga kujdesi primar e deri tek gjinekologët. Më pas, kjo duhet të vazhdojë edhe tek pacientët”. E përderisa kjo gjë të ndodh, gratë në Kosovë që vuajnë nga endometrioza do vazhdojnë të kenë dhimbje të cilat nuk diagnostifikohen asnjëherë.
Republika Çeke me përmirësime për diagnostifikimin e endometriozës
Për më shumë se një vit, ENDO Talks CZ, një organizatë e drejtuar nga gratë me endometriozë në Çeki po punojnë në mënyrë që të ngrihet vetëdija për endometriozën. Qëllimi kryesor i kësaj organizate është që të ulet nga 10 në 5 vjet periudha e diagnostifikimit të grave me endometriozë. Që të arrihet kjo gjë, kjo organizatë po punon në ngritjen e vetëdijes për publikun si dhe po u ofrohet ndihmë pacienteve të diagnostifikuara.
Republika Çeke është një shtet me rreth 10 milionë banorë, por janë vetën tre qendra të certifikuara për endometriozë. Sipas themelueses së ENDO Talks CZ, Misha Lebeda, endometrioza është një temë komplekse pasi as sigurimet shëndetësore nuk e mbulojnë këtë sëmundje.
Lebeda shpjegon që mesazhet të cilat i shpërndan kjo organizatë janë tejet të nevojshme për gratë që ballafaqohen me infertilitetin për shkak të endometriozës, ato të cilat janë duke iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike apo edhe për ato të cilat kanë dhimbje menstruale.
“Është një audiencë shumë e gjerë të cilën ne dëshirojmë ta mbulojmë”, shton ajo.
Në fillim të vitit 2022 ENDO Talks organizoi një marsh në Pragë për të ngritur vetëdijen që “dhimbjet menstruale nuk janë normale”.
Kurse mjeku nga Spitali Znojmo në Çeki që njëkohësisht punon edhe në Spitalin Mercifuk Brothers në Vjenë, Radek Chvátal, thotë që endometrioza duhet trajtuar si sëmundjet e tjera tumoriale.
“Endometrioza duhet të njihet si një sëmundje serioze njëjtë sikur kanceri, pasi edhe operacioni i endometriozës është serioz dhe kërkon trajtim onkologjik”.
Britania e Madhe dhe ngritja e vetëdijes për endometriozë
Krahasuar me shtetet e tjera si Kosova dhe Republika Çeke, Britania e Madhe, i ka bërë disa hapa para sa i përket ngritjes së vetëdijes për endometriozë. Nëse një paciente me endometriozë e prezanton këtë si sëmundje kronike, atëherë sipas Aktit të Barazisë së vitit 2010, punonjësja ka të drejtë të kërkojë ditë pushimi nga punonjësi. Sidoqoftë, bisedat mbi këtë temë vazhdojnë të cilësohen si tabu nga disa gra.
“Këtë gjë po tentojmë që ta luftojmë. Endometrioza duhet të trajtohet njëjtë sikur kur i flet shefit tënd për astmën apo diabetin”, thotë Menaxherja e Politikave në Endo UK, Rebecca Taylor.
Sipas Taylor ekzistojnë shumë barriera në Britani të Madhe sa i përket endometriozës. Sipas saj, mesatarisht merr tetë vjet kohë që një grua britanike të diagnostifikohet me endometriozë.
Kurse Profesori i Asociuar njëkohësisht bashkë-drejtor i Qendrës së Kujdesit për Endometriozë në Universitetin e Oksfordit, Dr Christian Becker, thotë që barriera e parë është ndërgjegjësimi individual, pasi sipas tij shumë aspekte të shëndetit të grave nuk janë të përfshira në kurikulat shkollore britanike.
“Nëse nuk keni dëgjuar asnjëherë për endometriozën, mund të mos e kuptoni që vuani nga kjo sëmundje”, thotë Taylor.
Shumë gra britanike dëgjojnë për herë të parë për këtë sëmundje, vetëm kur tentojnë të mbesin shtatzënë. Kjo gjë i ka ndodhur edhe Kerry Messenger, një grua 41 vjeçe që e kuptoi që vuan nga endometrioza përderisa po tentonte shtatzëninë përmes procedurës së IVF-it. Ajo ka vuajtur që nga adoleshenca nga dhimbjet menstruale, por e ka pranuar që ‘ka pasur fatin e keq me ciklin menstrual’. Madje, një herë për shkak të dhimbjeve ajo edhe është shtruar në spital por mjekët nuk e kanë kontrolluar për endometriozë.

Disa vite më parë përderisa Messenger po iu nënshtrohej IVF-it, mjekët e kuptuan që ajo vuan nga faza e katërt me endometriozë.
“Sikur të mos ishte vajza ime, unë kurrë nuk do e dija që vuaj nga endometrioza”, shton Messenger. Ajo thotë që diagnostifikimi me endometriozë u ka dhënë përgjigje shumë pyetjeve në lidhje me shëndetin e saj, por sikur të mësonte në shkollë për këtë sëmundje sipas saj ajo nuk do e linte që sëmundja të bënte kaq progres.
Sipas saj barriera e dytë lidhet me mungesën e vetëdijes në shoqëri. Ajo shton se shpeshherë gratë marrin përgjigje si “disa gra thjeshtë kanë më shumë dhimbje gjatë ciklit menstrual” apo “ky është çmimi i të qenit grua”. Por Messenger, shprehet që për shkak që ajo është diagnostifikuar me këtë sëmundje në një fazë të vonshme do kujdeset shumë që vajza e saj të mos kalojë në të njëjtën rrugë.
Gratë në gjithë botën vazhdojnë të vuajnë nga dhimbjet e padiagnostifikuara në abdomen, e sërish nuk po bëhet aq shumë që tu ndihmohet atyre. Në disa vende të Evropës ekzistojnë organizata si ENDO Talks në Çeki apo Endo UK në Britani të Madhe, që u ofrojnë ndihmë pacienteve. Kurse në vende si Kosova shumë paciente vazhdojnë të vuajnë nga kjo ‘sëmundje e panjohur’.
*Ky artikull është shkruar fillimisht në gjuhën angleze. Artikulli është i qasshëm në gjuhën angleze, shqipe dhe në gjuhë çeke. Autore janë Donika Gashi, gazetare në Nacionale si dhe Urtė Fultinavičiūtė gazetare në Britani të Madhe.