Edhe politikani serb nga Kosova reagon për rastin në Pejë: Kjo sjellje duhet të dënohet nga të gjithë - NACIONALE

Edhe politikani serb nga Kosova reagon për rastin në Pejë: Kjo sjellje duhet të dënohet nga të gjithë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas rastit të tmerrshëm në Pejë ku shihet një infermiere derisa ushtron dhunë ndaj një gruaje të moshuar ka bërë që të reagojë edhe politikani serb nga Kosova, Aleksandar Arsenijeviq.

Arsenijeviq është shprehur shumë i shqetësuar për rastin e dhunës në një deklaratë që i ka dërguar gazetës Nacionale.

“Nuk mund të mos reagoj për këtë sjellje të punëtorëve mjekësorë në shtëpinë e të moshuarve në Pejë! Pavarësisht fesë apo përkatësisë etnike, kjo lloj sjellje duhet të dënohet nga i gjithë opinioni. Shkarkimi është pak për masat e dënimit që duhen bërë ndaj tij.” – u shpreh politikani i ri serb.

“Para disa ditësh kemi pasur një vetëvrasje tragjike të një të riu në rajon për shkak të gjërave të ngjashme,” – vazhdoi z. Arsenijeviq.

“Nëse dikush mund të marrë 8 muaj burg për shkak të flamurit në Gazimestan, atëherë dënimi për veprime të tilla duhet të jetë shumë i lartë. A jeni dakord?” – argumentoi në fund ai.

Çka ndodhi?

Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar më herët nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.

Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere. Rasti ka ndodhur në një shtëpi për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë.

Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.

Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.

Ky rast e ka tronditur opinionin publik, me reagime nga të gjitha anët.

Të gjitha ngjarjet dhe reagimet mund t’i përcillni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme