Dyshime për varrezë masive në Novi Pazar, sot zhvillohen inspektime
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se sot në orën 10:00, do të zhvillohen inspektime në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, pas dyshimeve për ekzistencën e një varri masiv.
Në njoftim thuhet se ky zhvillim vjen pas kërkesave të vazhdueshme në kuadër të takimeve të delegacioneve dhe dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Theksojmë se ky rast ka qenë i planifikuar të trajtohej edhe vitin e kaluar, por pas disa ditësh përgatitje terreni, gërmimet ishin ndërprerë. Lokacioni në Kozhle është një nga lokacionet e adresuara në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve zyrtare, krahas kërkesave të vazhdueshme për rikthim me prioritet në Batajnicë dhe lokacionet e tjera tashmë të shënjuara”, thuhet në njoftim.
Në njoftim shtohet se gërmimet duhet të shoqërohen me të dhëna nga arkivat e institucioneve të Serbisë, të cilat do të ndihmonin në saktësimin e lokacionit dhe sigurimin e provave për zbardhjen e plotë të rastit.