Dhunë në familje, rrahje, vrasje në tentativë: Çka ndodhi në ditët e para të vitit të ri?
Tri ditët e para të vitit të ri tashmë kanë shkuar, ndërsa kjo e shtune shënon katër janarin e vitit 2025. Në tri ditët e para të vitit të ri kanë ndodhur disa zhvillime në aspektin e sigurisë së përgjithshme, të cilat janë pasqyruar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës. Çka ndodhi këto ditë në Kosovë, sipas raporteve të PK-së?
Le të fillojmë nga raportin 24 orësh i tre janarit. Në këtë raport, PK-ja ka renditur një vrasje në tentativë, tentim grabitje, hetim të vdekjes, dhunë në familje, persona të zhdukur dhe incidente të tjera kriminale, si p.sh. rrahje e vjedhje të mbi 9 mijë eurove.
Vrasja në tentativë ndodhi në Prishtinë dhe rasti është nën hetime.
“VRASJE NË TENTATIVË
Rr. Mine Peza, Prishtinë 03.01.2025 – 18:30. Një mashkull kosovar, ka pësuar lëndime në shpinë nga arma e zjarrit, në drejtim të të cilit ka shtënë i dyshuari mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 5 gëzhoja. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor. I dyshuari është në kërkim nga policia. Rasti në hetime” – shkruhet në raportin e PK-së.
Më tre janar u njoftua edhe për zhdukjen e dy vajzave të mitura.
“PERSON I ZHDUKUR
Rr. Nëna Terezë, Fushë Kosovë 01.01.2025 – 10:00. Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se dy vajzat e saj të mitura janë larguar nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tyre” – shkruhet në raportin e PK-së.
Edhe në raportin e PK-së për datën dy janar mund të vërehen të njëjtat probleme kriminale. Më dy janar ndodhën po ashtu dhunë në familje, kanosje e grabitje.
Në Viti p.sh ndodhi një dhunë në familje.
“DHUNË NË FAMILJE /ARMËMBAJTJE PA LEJE
Viti 02.01.2025 – 00:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj babait të tij. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje” – shkruhet në raportin e PK-së.
Ndërsa në raportin e publikuar më 2 janar e që tregon për ndodhitë e 1 janarit, mund të vërehen edhe problemet me shkaktimin e rrezikut të përgjitshëm. Natyrisht, edhe gjatë një janarit ka pasur dhunë në familje e tentim vrasje.
“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM
Lagjja-Ulpiana e Re, Prishtinë / 31.12.2024 - 23:30. Pas raportimit për disa të shtënave ma armë zjarri, janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit të tyre dhe një shtëpie janë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri, 12 kutie të zbrazura të fishekëve, 98 copë fishekë dhe disa gëzhoja. Të dyshuat janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, dy prej tyre janë liruar ndërsa dy të tjerët janë dërguar në mbajtje” – thuhet në raportin e PK-së.
Ndërsa në Graçanicë është identifikuar edhe një vrasje në tentativë.
“VRASJE NË TENTATIVË
Graqanicë / 01.01.2025 - 03:50. Dy viktima meshkuj kosovarë janë duke u trajtuar në QKUK, pasi që dyshohet se janë sulmuar fizikisht (dyshohet me thikë) nga persona të pa njohur. Rasti është duke u hetuar nga njësitet relevante policore” – ka njoftuar PK-ja.