Denoncohet zgërdhirja e ministrit të Shëndetësisë dhe deputetëve për problemet e shëndetit mendor - NACIONALE

Denoncohet zgërdhirja e ministrit të Shëndetësisë dhe deputetëve për problemet e shëndetit mendor

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në shoqërinë kosovare, shëndeti mendor ende konsiderohet si temë tabu dhe kushdo që kërkon ndihmë në këtë drejtim, rrezikon të etiketohet dhe stigmatizohet. Madje, një stigmatizim i tillë shpesh ndodh edhe në qarqet institucionale të Kosovës, sikurse rasti i djeshëm në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, teksa raportonte para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për aktivitetet e menaxhimit në sektorin e shëndetësisë dhe aktualitetet e zhvillimeve të fundit në shëndetësinë e vendit, iu drejtua me një lutje të gjithë deputetëve të këtij Komisioni që ta vizitonin Klinikën e Psikiatrisë në QKUK.

Në fakt, nëntheksi i lutjes së ministrit ishte për të treguar gjendjen infrastrukturore të këtij spitali, mirëpo për një moment plasi e qeshura në këtë komision nga anëtarët e këtij Komisioni, duke aluduar se ministri po iu rekomandonë atyre që ta vizitojnë këtë spital për çështje personale shëndetësore.

Së bashku me anëtarët e Komisionit, kryesuar nga deputetja e VV-së Fatmire Kollçaku, nuk mungoi as “zgërdhirja” e ministrit Latifi, i emëruar në këtë detyrë para disa muajsh.

“Ju kisha lutë ju t’gjithë deputetëve, shkoni në psikiatri”, tha Latifi, para se të fillonte një qeshje histerike në kor, nga pjesëmarrësit në këtë tryezë.

“Me shku si pacientë, a si…”, pyesnin anëtarët e Komisionit, që pasoi nga një ndërprerje e ministrit, duke u nxituar të tregonte që nuk e ka në atë kontekst.

“Jo, jo, jo, si vrojtues, si doktora, si qytetarë, si reprezentues të popullit të Kosovës”, tha Latifi.

Qeshja masive, që ngjante më shumë si përqeshje në këtë Komision, përforconte stigmatizimin me të cilin përballen shumë qytetarë që kanë telashe me shëndetin mendor.

Qeshja e deputeteve dukej si një alarm i aktivizuar shoqëror duke shpërfaqur më së miri, se sipas tyre, çrregullimeve mendore duhet t’u qasemi me një distancë e përbuzje.

Për drejtorin ekzekutiv të Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, Bind Skeja, mendësia e institucioneve është mendësi arkaike, dhe sipas tij, vetë ministri Latifi e ka stigmën e përbrendësuar.

“Ministri së pari vetë e ka këtë stigmën të përmbrendsume, ku nihet i obligumë me kallxu që nuk po iu thotë me shku si pacientë atje; shumë koment nënçmues, dhe e panevojshme me u cekë”, thotë Skeja për Nacionalen.

Sipas tij, qeshja edhe e ministrit dhe e deputeteve është tregues që ai “nuk e ka mentalitetin në rregull”.

“Kjo tregon që ky (ministri) hala nuk e ka mentalitetin në rregull, menjëherë trupi i kcen me u mbrojtë se po gabon me mendu dikush që u kanë aty ai në cilësinë e pacientit, edhe normal edhe këto të qeshurat e deputetëve edhe të individëve nuk janë për me u çuditë, sepse mendësia në qarqet politike është hala super arkaike”, mendon Skeja, duke thënë se përfaqësuesit politikë, në masë të madhe nuk janë as të informuar për temat që reprezentojnë.

“Nuk janë njerëzit më të lexueshëm që janë tu na përfaqësu. Ka thjesht shumë njerëz që nuk janë të informum mbi temat që i reprezentojnë edhe mbi temat që i diskutojnë edhe mandej dalin edhe bëjnë qisi skena”, thotë ai.

Skeja tutje sfidon që të vizitohet uebfaqja e Ministrisë së Shëndetësisë për të parë nëse këta të fundit postojnë diçka rreth shëndetit mendor dhe për largimin e kësaj stigme.

“Sa u përket institucioneve, se me sa merren ata me promovimin e shëndetit mendor edhe promovimin e largimit të stigmës, unë i sfidoj njerëzit me hy në faqe të ministrisë, në Facebook të tyre edhe me gjetë një postim që ata folin për shëndet mendor në një mënyrë që është jo stigmatizuese,” thotë Skeja, i cili shton se përqeshjet e tilla edhe në nivele institucionale i kontribuojnë dekurajimit të personave që kanë nevojë të drejtohen në Klinikën e Psikiatrisë.

Në fakt, postimi i fundit kësaj ministrie në lidhje me psikiatrinë, ishte një vizitë e ministrit Latifi me 31 maj të këtij viti në Klinikën e Psikiatrisë, ku premtoi kushte më të mira për stafin mjekësor në këtë klinikë. Mirëpo, nuk ka ndonjë informim apo postim në lidhje me këshillimin e stigmatizimit për shëndetin mendor.

Lajme të ngjashme