Dënohet kosovari që shkoi në Siri bashkë me gruan e vajzën, bashkëpunonte edhe me Lavdrim Muhaxherin - NACIONALE

Dënohet kosovari që shkoi në Siri bashkë me gruan e vajzën, bashkëpunonte edhe me Lavdrim Muhaxherin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me burgim prej 4 vite e tetë muaj H.S, i dyshuar për pjesëmarrje në grup terrorist.

Kjo është konfirmuar nga Gjykata, përmes një komunikate për media.

I akuzuari H.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01.08.2018 e tutje, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar në aktgjykim. Të akuzuarit H.S i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me burgim.” – thuhet në komunikatë.

Tutje, janë dhënë detaje të tjera, ku shkruan se i akuzuari, me dashje dhe me përgatitje paraprake së bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tyre të mitur kishin udhëtuar për në Siri, me qëllim që t’i bashkohen organizatës terroriste “ISIS”.

I njëjti, po ashtu ka punuar si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur të “ISIS-it”, duke u paguar prej nga 100 dollarë amerikan në muaj dhe kishe bashkëpunuar me Lavdrim Muhaxherin.

“I akuzuari me datë 23.11.2015, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur kishte lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë dhe kishte udhëtuar për në qytetin e Stambollit të Republikës së Turqisë dhe përmes lidhjeve të caktuara kishte depërtuar në Siri, me qëllim që ti bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”, e cila në këto vende ka qenë duke u luftuar, është angazhuar si pjesëtarë i “ISIS-it”, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e “ISIS-it”, është financuar nga “ISIS” me shumën e të hollave prej nga 100 Dollar Amerikan në muaj, duke bashkëpunuar edhe me epror dhe luftëtarë të “ISIS-it”, si Lavdrim Muhaxheri etj, e që më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane, ku edhe me datë 28.05.2022 është riatdhesuar në Republikën e Kosovës.” – thuhet në komunikatë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lajme të ngjashme