Rritet numri i viktimave: Tre të vdekur nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan - NACIONALE

Rritet numri i viktimave: Tre të vdekur nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan

1 vit më parë

nga NACIONALE

E përditësuar - 15:35

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Gjilanin, ku tre persona kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Fillimisht u raportuan dy të vdekur dhe dy të plagosur; njëri nga të plagosurit, që po trajtohej në Spitalin e Gjilanit, humbi jetën pak më vonë, duke e çuar bilancin në tre viktima.

Nacionale mësoi se nga të shtënat mbeten të vdekur babë e bir, në një kafenë afër objektit të komunës së Gjilanit.

Sipas policisë. i dyshuari kryesor është Mefail Shkodra, i njohur për oganet e drejtësisë si i arrestuar nën dyshimin për veprën penale "fajde".


Mjeku kujdestar në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e dy personave, ndërsa dy të tjerë janë dërguar për trajtim në Qendrën Emergjente të Gjilanit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë e ditur.

“Ju njoftoj se sot, më 10.08.2025, rreth orës 12:32 dyshohet se ka ndodhur një rast vrasjeje dhe plagosjeje me armë zjarri në Gjilan, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Në këtë rast, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e dy personave, ndërsa dyshohet se edhe dy persona të tjerë janë plagosur dhe u është ofruar ndihmë në Qendrën Emergjente të Gjilanit.”

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Ismet Hashani, tha për Nacionalen se rasti po hetohet si “vrasje dhe plagosje me armë zjarri”.

“I dyshuari për këtë rast është një person mashkull, shtetas i Kosovës, i njohur për policinë, i cili për momentin është në arrati.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit. Policia e Kosovës, Njësitet e Hetimeve Rajonale, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, po hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë,” tha Ismet Hashani për Nacionalen.

Lajme të ngjashme