Azemi me akuza: Qeveritarët janë bërë pjesë të kompanive të ndërtimeve
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka fajësuar të gjitha qeveritë për mosrritje të numrit të inspektorëve të punës.
Ai ka thënë për gazetën Nacionale se kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme.
Sipas tij, kjo ka ndodhur sepse qeveritarë të ndryshëm janë bërë pjesë të kompanive.
“Mendoj se të gjitha qeverive iu ka konvenuar të këtë numër të vogël të inspektorëve, pasi që realisht edhe qeveritarët i kanë futur duart në kapitalin e pronarëve të kompanive dhe ata dëshirojnë që të kenë një lidhje direkte qeveri-pronar të kompanive, pa kaluar përmes inspektorëve të punës”, ka deklaruar Azemi.
Ai ka treguar se si vazhdimisht numri i inspektorëve të punës ka shkuar duke u zvogëluar.
“Sipas informacioneve tona, po flasim se në vitin 2014 kemi pasur gjithsej 63 inspektorë të punës dhe tani kemi ardhur në një situatë që deri para një kohe shumë të shkurtër kemi pasur 28 inspektor. Pastaj, kam informacione se janë marrë edhe 8 inspektorë tjerrë të ri, që do të thotë se janë 36 inspektorë”, ka thënë Azemi.
Azemi ka bërë me dije se zvogëlimi i numrit të inspektorëve ka ndodhur për arsyeje të ndryshme.
“Kjo ka ndodhur për shumë arsye. Disa inspektorë kanë sëmundje kronik dhe ata nuk mund ta vazhdojmë punën. Një numër i tyre kanë vdekur, pastaj disa prej tyre kanë shkuar në pension”, ka treguar Azemi.
Në fushat zgjedhore dhe pas saj, kryeministri Albin Kurti kishte premtuar rritje të numrit të inspektorëve të punës. Këtë premtim, Kurti e kishte shkruar në programin e Lëvizjes Vetëvendosje. Por, në dy vitet e para të qeverisjes së VV-së nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.