Politologu Ramadani ia numëron skandalet Tomë Gashit
Analisti Shkodran Ramadani ka komentuar skandalin e avokatit Tomë Gashi, i cili dje ka shpërndarë një lajm të rrejshëm në profilin e tij në “Facebook”.
Ramadani ka numëruar disa nga skandalet më të mëdha të avokatit, i cili njihet si përkrahës i madh i LV-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, Ramadani ka shkruar se Gashi është prej kohësh autor i disa prej skandaleve më të rënda në baza ditore, nga dhuna në familje, shkelmimi i lypsarëve dhe njerëzve në nevojë, e deri te gënjeshtrat më të pacipa në medie për të mbrojtur padronin e tij, Albin Kurtin.
Ai ia ka përmendur Gashit edhe kohen kur ka shërbyer si gjykatës në regjimin e Millosheviqit.
“Po thonë se "Tomë Gashi ia ka shkatërruar karrierën vetes duke e shpërndarë një lajm të rrejshëm". Sa konstatim i gabuar. Kur atij nuk ia ka shkatërruar karrierën shërbimi i tij si gjykatës në regjimin e Millosheviqit, nuk besoj që një shpërndarje e një lajmi të rrejshëm e bën një gjë të tillë. Fundja, Tomë Gashi është prej kohësh autor i disa prej skandaleve më të rënda në baza ditore, nga dhuna në familje, shkelmimi i lypsarëve dhe njerëzve në nevojë, e deri te gënjeshtrat më të pacipa në medie për të mbrojtur padronin e tij, Albin Kurtin. Prandaj nuk pres që karriera e tij të merr fund. Së paku, jo në një shoqëri ku i fiton 51% të votave përmes rrenave dhe mashtrimeve", ka shkruar ai.
Ramadani ka kritikuar edhe ish-kryeministrin Hashim Thaçi, i cili e kishte angazhuar Gashin si këshilltar.
“Në rrethana të këtilla, shpërndarja e lajmeve të rrejshme dhe sulmet brutale mbi të vërtetën shpërblehen me pushtet dhe prestigj e nuk ndëshkohen me humbje të karrierës. Ama jo në një shoqëri ku një dekadë je gjykatës i Millosheviqit, e dekadën tjetër këshilltar i Drejtorit Politik të UÇK-së. Në një shoqëri të tillë rrena nuk është hendikep. Është përparësi. E për këtë duhet të turpërohet secili prej tyre, por më së shumti Hashim Thaçi, që duke abuzuar me autoritetin e fituar në luftë dhe varësisht nga interesat momentale, arbitratrisht i dhanë vetes mandatin që të rehabilitojnë edhe fosilet më të zeza nga e kaluara e dhunshme”, ka shkruar Ramadani.