Aktivist Krasniqi për mos-ekzekutimin e pagave: Kurti kërkesat e mësimdhënësve i përjetoi si tradhti kombëtare
Aktivisti i Shoqërisë Civile, Albert Krasniqi ka bërë një reagim të ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës mbi mos-ekzekutimin e pagave për punëtorët e sektorit të arsimit që kishin hyrë në grevë.
Krasniqi e ka quajtur masën e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës si “diskriminuese, me karakter ndëshkues dhe kundërligjore.”
Aktivisti ka treguar edhe si e sheh logjikën e kryeministrit të Kosovës në lidhje me këtë rast. Ai beson që kryeministri po i sheh si personale kërkesat e mësimdhënësve.
“Por kryeministri dëshironte t’i shihte si të tilla (personale). Se kërkesat për paga më të larta në kohë të inflacionit rekord, na qenkan mos njohje të rezultatit të zgjedhjeve, shantazh ndaj shtetit, e tradhti ndaj kombit. Andaj një “disiplinim i mirë” duhet t’i ipet secilit që kërkon më shumë sesa që i ofrohet.”
Krasniqi ka vlerësuar se me pezullimin e grevës, mësimdhënësit e kanë dëshmuar gjestin e vullnetit të mirë, diçka që po i mungon Qeverisë së Kosovës.
