Katër të vdekur në një aksident të rëndë në Koshare të Ferizajt
Katër persona kanë vdekur pas një aksidenti në fshatin Koshare, në Ferizaj.
Lajmi është konfirmuar për gazetën Nacionale nga zëdhënsi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se na aksident ishin të përfshira tri automjete.
“Rreth orës 19:15 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në aksin rrugor Ferizaj -Shtime, në dalje të fshatit Koshare të Ferizajt, ka ndodhur një aksident komunikacioni ku janë përfshirë tri automjete të udhëtarëve, vetura me targa vendore. Si pasojë e këtij aksidenti, 4 persona kanë humbur jetën, vdekja e të cilëve është konfirmuar nga mjekët në vendin e ngjarjes.” – tha ai.
Veç kësaj, Veseli për Nacionalen ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë ekipe të Emergjencave.
Po ashtu, Njësia e Hetimeve të Komunikacionit Rrugor ka nisur hetimet.
Deri më tani, nuk dihen detaje të tjera rreth këtij rasti, derisa Nacionale do t’ju mbajë të informuar me zhvillimet.
Pamje nga vendi i ngjarjes
Një qytetare me emrin Brunilda Gjura, e cila ka qenë edhe dëshmitare e rastit ka publikuar pamje nga ky aksident, ku shihen vetura të shumta në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, shihen edhe ambulancat, si dhe zjarrfikësit.
Shënim: Pamjet janë publikuar me lejen e zonjës Gjura.