A ka nevojë Kosova për polici gjuhësore? Një diskutim në shoqatën “Dashamirët e shqipes”
Në qendër të Prishtinës, në një objekt të vogël dykatësh, një grup profesorësh kanë themeluar një organizatë për mbrojtjen e kultivimin e gjuhës shqipe. “Dashamirët e shqipes” është shoqata që Ilmi Rexhepi, njohës i gjuhës shqipe, e drejton që nga themelimi i saj, në vitin 2020.
Meqenëse nuk mbahem për njohës të mirë të gramatikës, përgatitem enkas për intervistë, duke përsëritur rregullat kryesore të gjuhës shqipe.
Ende pa u ulur mirë, Ilmiut ia bëj me dije se kam ardhur i përgatitur.
Pajtohemi që intervistën ta bëjmë nën hijen e çadrës në oborrin e shoqatës, meqë objekti brenda nuk është shumë i përshtatshëm për fotografi.
Që në krye të bisedës, e pyes Ilmiun për arsyen pse u themelua organizata që ai drejton.
“Mendoj se gjatë kalimit të sistemeve politike në llojin e sistemit ku jemi tash, nuk mendohet që çështjeve gjuhësore si atyre të gjuhës shqipe t’u jepet nga vetë shteti rëndësia e merituar. Prandaj ishte e nevojshme të hapet një shoqatë, e cila do të japë ndihmën e vet. Nuk do të thotë të varet gjithçka prej saj. Na trishton fakti nëse çështjet e gjuhës do të vareshin prej shoqatës sonë, por e kemi vërejtur që ka hapësirë për të kontribuuar, për të ndihmuar për gjuhë shqipe”, tha ai.
Në një intervistë për gjuhën shqipe, është e pamundur të mos diskutohet në lidhje me gabimet e shumta sintaksore e drejtshkrimore të kosovarëve.
Për Rexhepin, një çështje e tillë është komplekse.

“Arsyeja se përse tek ne nuk zbatohen rregullat e gjuhës shqipe, mendoj se është një çështje e ndërlikuar. Ka shkaqe të ndërlikuara, të ndërlidhura, por kryesisht lidhen me pushtimin jugosllav, që nuk ka lejuar zhvillimin e gjuhës shqipe, dhe me pengesat që i janë bërë shkollimit shqip. Por, rrethanë e veçantë tek ne në Kosovë, mund të jetë edhe fakti që baza e standardit është toskërishtja, ndërsa ne jemi gegë. Edhe kjo shkakton problem, i sjell problemet e veta, sepse për një gegë është vështirë ta zotërojë mirë toskërishten”, deklaroi Rexhepi.
Gjatë intervistës me Rexhepin, i them se për mua çështja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe ka një fat të parashkruar. Për shkak të sistemit arsimor jocilësor, gjuha shqipe do të vazhdohet të shkruhet keq. Prandaj, përpjekja e shoqatës “Dashamirët e shqipes” për të përmirësuar drejtshkrimin e shqipes tek kosovarët, më duket paksa një luftë “don kishoteske”.
Kur flet për çështjen e gjuhës së njësuar shqipe, Rexhepi është i kujdesshëm, duke theksuar faktin se rihapja e standardizimit u takon gjuhëtarëve e institucioneve akademike të Kosovës e Shqipërisë.
“Ne duhet t’i ndjekim ato që i thotë Akademia dhe institucionet tona shkencore. Së paku si shoqatë, e kemi këtë qëndrim - të ndjekim institucionet përgjegjëse për gjuhën. Mirëpo, nuk bëhet shkurt, si mendon dikush, të organizohet një kongres i dytë, dhe aty të zgjidhet problemi. Ne nuk mendojmë se kështu zgjidhet problemi”, tha ai.
Rexhepi me shokë udhëheqin një faqe mjaft të ndjekur në Facebook, e cila mban titullin “Vërejtje dhe rregulla gramatikore”. Mbi 54 mijë persona e kanë pëlqyer deri më tash këtë faqe, në të cilën shpjegohen rregulla drejtshkrimore e sintaksore të shqipes, e aty jo rrallëherë ‘u tërhiqet vërejtja’ politikanëve për gabimet e tyre gramatikore. Prej tyre ka lindur edhe vetë ideja e shoqatës “Dashamirët e shqipes”.
E këtu radha vjen të bisedojmë edhe rreth një çështjeje pak më “tërheqëse”. Pse shkruajnë keq politikanët e Kosovës?
Rexhepi thotë se politikanët përveç se shkruajnë keq, ata shpeshherë janë edhe burim i gabimeve gjuhësore.

“Jo vetëm që shkruajnë keq, por ata janë shpesh edhe burim i gabimeve. Ata edhe dallojnë prej njëri-tjetrit, nuk guxojmë t’i përgjithësojmë, por po flasim për shumicën e atyre që unë i lexoj. Ata veç që shkruajnë me gabime, shpesh janë burim i gabimeve, duke qenë se njerëzit i imitojnë ata. Duke i imituar ata si njerëz të ngritur, në rastet kur ata kanë përdorur ndonjë trajtë jo të saktë, ndjekësit e tyre pastaj i bëjnë po ato gabime”, tha Rexhepi.
Natyrisht, insistoj të di se cili politikan, sipas tij, shkruan mirë, e kush është shkruesi më i keq i gjuhës shqipe.
Përgjigjen për politikanin që shkruan më së bukuri gjuhën shqipe, pa gabime sintaksore e drejtshkrimore, e ka në maje të gjuhës.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan më së miri. Madje për këtë qëndrim, Rexhepi tregon edhe arsyet.
“Albin Kurti shkruan mirë. Mendoj se shkak është leximi dhe fryma kombëtare. Mendoj që janë këto arsye”, thekson profesori i gjuhës shqipe.
Një bashkëpartiake e Kurtit, që është ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, për Rexhepin, meriton cilësimin e politikanes që shkruan keq.
“Mua për të keq më bie në sy Arbërie Nagavci. Është ministre e Arsimit, dhe nuk do të duhej të shkruante ashtu, nga ndjeshmëria e pozitës dhe funksioni që ka”, sqaron Rexhepi.
Bashkëpunëtori i tij, Bahri Mirena, shton edhe emra të politikanëve të tjerë, të cilët sipas tij shkruajnë drejt e mirë gjuhën shqipe.

“Albin Kurti ka gabime më pak se çdo politikan tjetër. Sigurisht që edhe ai gabon. Edhe Glauk Konjufca shkruan mirë, por edhe ai gabon ndonjëherë, e kam vërejtur. Lumir Abdixhiku është i mirë në drejtshkrim, nëse fillojmë të përmendim emra. Bëjnë pak gabime. Gabimet që i vërejmë janë kryesisht te trajtat e shkurtra të përemrave vetorë, aty gabohet më shumë”, thotë Mirena.
Për fund, Rexhepi më tregon edhe për planet e organizatës për të ardhmen, teksa thekson se janë duke përpiluar një revistë për shkollat kosovare, e cila synohet të shpërndahet falas.
Natyrisht, sa herë që flitet për organizime jopublike në Kosovë, nuk mungojnë ankesat për probleme financiare. Njëjtë ndodhi edhe kësaj radhe, pasi Rexhepi më tregon se qiranë për objektin ku punon shoqata “Dashamirët e shqipes”, e ka paguar nga xhepi i tij.