Ish-zyrtari i MPB-së arrestohet në kufi me Serbinë: Dyshohet se u kap me 18 kg drogë
Drilon Berbati, ish-zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, është arrestuar në kufi me Serbinë.
Berbati ishte suspenduar nga detyra me një vendim të marrur me datë 14 gusht të vitit 2023. Kjo pas një tjetër arrestimi që kishte pasur.
Kjo pasi atij dyshohet se i janë gjetur rreth 18 kilogramë drogë të tipit marihuanë.
Burime të ndryshme ia kanë konfirmuar Nacionales se përsoni i arrestuar është pikërisht Berbati.
Berbati shërbente si zyrtar administrativ në Agjencinë për Regjistrim Civil.
Ai kishte qenë i arrestuar edhe më herët. Në dhjetorin e 2023 i ishte ngritur aktakuzë ndaj tij.
Kjo pasi dyshohet se i kishte dhënë disa dokumente në mënyrë joligjore për një person nga Shqipëria, i kërkuar nga INTERPOL-i për drogë.
Kush është Drilon Berbati?
Ish-zyrtari i arrestuar Drilon Berbati prej kohësh punon në Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie.
Ai ishte zgjedhur edhe anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, dega në Pejë. Nga profili i tij në Facebook, vërehet se bëhet fjalë për një militant të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Aty shihet se Berbarti shpërndanë vazhdimisht aktivitetet e PDK-së. Duket të jetë i afërt, ose të paktën mbshtetës i madh i deputetit tjetër të dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Xhavit Haliti.
U arrestua e mbajti paraburgim për veprën “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”
Policia e Kosovës në dhjetor, kishte arrestuar Berbatin nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar. Ndaj tij Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Berbati dyshohet se kishte pajisur me dokumente personale, letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës një person nga Shqipëria i cili ishte në kërkim nga INTERPOL-i.
Në komunikatën e Prokurorisë, për rastin e tij thuhej se Berbati dyshohet se më 15.10.2021, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin për dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N.