“Zyre amatore e propagandës”, “Kushti është edhe Asociacioni”: VV mburret me 880 milionëshin e BE-së pa hollësitë e hidhëta
Vetëvendosja e dha për fakt të kryer se Kosova ‘përfiton’ 880 milion euro nga Fondi i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
880 milionët – që janë grante dhe kredi të buta – në shënimin e Vetëvendosjes janë gjë që po i shtohen arkës së vendit: por duke mos i dhënë hollësitë e tjera siç janë kushtet që duhet përmbushur.
Kushti i pamënjanueshëm: zbatimi i Marrëveshjes Bazike/Ohrit, me të cilën ujdi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka lidhur pashkëputshëm shtetin në secilin hap euro-atlantik.
“Kosova përfiton 880 milionë euro nga (IPA) Bashkimi Evropian. Komiteti i Instrumenteve të Para-anëtarsimit, i njohur si IPA, ka dhënë pëlqimin përfundimtar për agjendat e reformave. Ky është hapi i parë procedural drejt nisjes së zbatimit të Planit të Rritjes brenda së cilit Kosova i përfiton 880 milionë euro”, shkroi Vetëvendosja.
Ndonëse para disa javësh ishte vetë Kurti që – ndryshe nga liderët e tjerë rajonalë, përjashto Bosnje-Hercegovinën – s’mundi të thotë me siguri se kur vendi do ta merr këstin e parë të këtij Fondi.
Tha: “sivjet, nëse jo muajin tjetër”.
Një nga punditët vendor të çështjes, Shenoll Muharremi, zyrën e Vetevendosjes e quajti “amatore” duke e zbërthyer të vërtetën e hidhët – madje prozaike – të arritjes deri te përfitimi i këtyre fondeve.
Muharremi vëren se Vetëvendosja as nuk e bëri dallimin e këtij fondi “që është një miks mes grantewve dhe huave...pra nuk janë para falë që i fiton Kosova”.
“Kosova ka edhe një kusht shtesë: Duhet të zbatoj plotësisht të gjitha detyrimet nga nga marrëveshja për normalizim dhe ankesi, pra edhe asociacionin. Normal që BE nuk do të bllokoj Kosovën tash për këtë provizio”.
“Por gjatë procesit të zbatimit në kornizën kohore 2024-2027 mund të përdorë këtë nëse i duhet. Fondet do të japen në disa instalime. Këtë nuk e përmend fare zyra e propagandës në materialin e postimin e tyre”, shkroi Muharremi.
Njësoj si ‘propagandë’ e vlerësoi edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila poezisë së PR-it të Vetëvendosjes i reagoi me prozën e kushtëzimeve që përcjell këtë Fond.
“Zyra e propagadës së LVV po lavdërohet se Kosova përfiton 880 milionë Euro nga “Plani i Rritjes”, ndërsa nuk po tregojnë se për të përfituar nga këto fonde kusht për Kosovën është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe i ankesit të Ohrit”, shkroi Bajrami.
“Lë t’i themi disa fakte: Është e vërtetë se Kosova është pjesë e “Planit të Rritjes” (Growth Plan) që është një fond prej 6 miliardë Euro për Ballkanin Përendimor, për periudhën 2024-2027, prej tyre 2 miliardë Euro janë grante, pjesa tjetër është kredi, por gjithashtu është e vërtetë se Kosova nuk i ka përfitu 880 milionë Euro”.
“Kosova ka potencial të përfitoj këto mjete kur t’i plotëson kushtet që vendosën nga BE. Është e ditur se edhepse për Kosovën nuk ishte parakusht për tu bërë pjesë e Planit të Rritjes, për të përfituar nga ky fond përpos kritereve teknike Kosova duhet të zbatoj të gjitha detyrimet e dala nga marrëveshja për normalizim dhe ankesi i Ohrit, pra edhe Asociacioni”.
Bajrami vazhdoi të numërojë projektet e pakryera – të bllokuara – si pasojë e sanksioneve të BE-së që rëndojnë tash e më shumë se një vit ndaj Kosovës e që kapin shifrë e rreth 300 milionë eurove.