Zyba vesh këpucët që i bënë tamam? AAK e pyet “çka po di më shumë që e implikove Kurtin”
“Pse Salih Zyba po mendon që Ramushi kërcënoi Kurtin?”.
Këtë pyetje mbrëmë në orët e vona e shtroi zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosvës, Kushtrim Xhemali referuar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba.
Ky i fundit tha se Ramush Haradinaj “kërcënoi hapur” Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një shkrim tejet të përgjithësuar e pa referent të posaçëm. T’i hymë me rend...
Në kontekstin e paralajmërimeve qeveritare se pavarësisht gjithçkaje hapja e Urës së Ibrit është “çështje e mbyllur, vendim i marrë” ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se jetët e ushtarëve të KFOR-it, dhe ato amerikanë, rrezikohen.
Një sërë rreziqesh i artikuloi Hovenier, dhe shtoi se “planet aktuale (të qeverisë) nuk e marrin parasysh atë rrezik”.
Haradinaj reagoi me tone të ashpra e me fdjali tejet të përgjithësuara se “kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë...ose do të jetë në burg ose të ik e fshehet nga Kosova”.
“Si armik i Kosovës do të trajtohet!... Pavarësisht çfarë shtetësie ka dhe çfarë detyre ka, ai-ajo-ata do të ndëshkohen!”, tha ai.
E përfundoi me një shënim shtojcë se nëse dikush në këtë përshkrim të tij “e gjen veten” atëherë edhe “s’do ta kenë mbrojtjen petkun që i mbështjellë përkohësisht!”.
Jo veten por Kurtin “e gjeti” deputeti i VV-së, Sali Zyba i cili shkroi se Haradinaj bëri “kërcënim të hapur” ndaj kryeministrit kosovar.
“Nëse statusin e Ramush Haradinajt nuk e marrim si kërcënim të hapur për Kryeministrin Kurti edhe qeverinë e Republikës së Kosovës atëherë po pajtohemi që askush më nuk e merr seriozisht”, shkroi ai.
Se pse i veshi ‘këpucët që i bënë’ Zyba ishte pyetja që e shtroi AAK-ja.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli e mori për konstatim të Zybës: “E paska identifikuar kush po i rrezikon ushtarët amerikanë! Ai, sipas Zybës, qenka Kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës!”.
“A thua pse? Pse Salih Zyba po mendon që Ramushi e kërcënoi Kurtin? A po mendon Salih Zyba që Kurti po i kërcënon ushtarët amerikanë a? Çka po di Salih Zyba në këtë?”, shkroi ai.
Përshkrimi i gjerë i Haradinajt, sipas zëdhënësit ka pasur për referent “strukturat kriminale”.
“Me këtë çoroditje, ti e implikove Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë në diçka fort të keqe për Kosovën! Është e qartë që Haradinaj ne statusin e tij, e ka pasur fjalën për strukturat kriminale. Por, si Zyba e paska parë Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë aty, veç ai duhet ta dijë!”, shkroi Xhemajli.
“Ramush Haradinaj ka thënë që ‘kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë do të trajtohet si armik i Kosovës’. A ka shqiptar që nuk pajtohet me këtë? Salih Zyba - ky tipi që çele guri gojën, pra zëri nuk iu dëgjua rreth komunikimeve të shefes së tij Mimozës me Radojiçiqin - e paska identifikuar Kryeministrin Kurti brenda mesazhit të Ramushit”, përfundoi ai.
Zyba edhe ditë më parë i replikoi Haradinajt duke ia dyshuar opozitarizmin e tij me paramendimin se “Albin Kurti sot me ia premtu postin e Presidentit Ramush Haradinajt, Ramushi i ndrron krejt fjalët që po i thotë për të sot”.