Zjarr në një dhomë në Klinikën e Psikiatrisë: Vdes një pacient - NACIONALE

Zjarr në një dhomë në Klinikën e Psikiatrisë: Vdes një pacient

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një pacient i Klinikës së Psikiatrisë ka vdekur si pasojë e një zjarri që ka ndodhur në një nga dhomat e kësaj klinike pas mesnatës.

Lajmin e ka bërë të ditur gazeta Shneta duke sjellur edhe pamje nga vendi i ngjarjes.

Gazeta ka mësuar se pacienti me sëmundje psikiatrike ishte i hospitalizuar në klinikë. Ai kishte dal nga klinika në orët e vona të së mërkurës, ndërsa më vonë ishte sjellë nga Policia e Kosovës në emergjencën e Klinikës së Psikiatrisë.

Pacienti ishte vendosur në një dhomë të izoluar në këtë shërbim. Rreth një orë më vonë ka rënë zjarr në dhomën e pacientit duke u djegur dysheku i shtratit, dhe si pasojë e flakëve pacienti ka ndërruar jetë.

Ende nuk dihet se si është shkaktuar zjarri. Dyshimet e para janë se pacienti mund të ketë pasur shkrepsë me vete.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin tragjik që ka ndodhur pas mesnatës në Klinikën e Psikatrisë.

Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës ka deklaruar se pesë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kurse fatkeqësisht, një pacient ka vdekur.

“Sot rreth orës 00:15, është raportuar se në klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, një dhomë është përfshirë nga zjarri. Policia dhe prokurori i shtetit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin”, tha Ahmeti.

“Aktualisht policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha Ahmeti.

QKUK-ja jep detaje për rastin tragjik: Pacienti në Psikiatri e dogji vet dhomën, i gjithë ekipi u asfiksua

Qendra Klinike Unviersitare e Kosovës e ka konfirmuar rastin tragjik, ku një pacient i Psikiatrisë humbi jetën si pasojë e zjarrit.

Sipas njoftimit, pacienti dyshohet se e ka djegur vet dhomën. Për pasojë përveç që ai humbi jetën, janë lënduar edhe ekipa kujdestare dhe disa pacientë të tjerë.

Njoftimi:

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore.

Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin.

Gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente.

Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.

Vdekjen e pacientit e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Dr. Faton Kutllovci. Ai i ka thënë Gazetës Shneta se pacienti ishte trajtuar edhe më parë në klinikë.

Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet e Policisë së Kosovës, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

I pranishëm ka qenë edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar Elvir Azizi.

Nacionale po pret konfirmim edhe nga institucionet kompetente lidhur me detajet për ngjarjen.

Lajme të ngjashme