Zhvillimet në veri: Policia e Kosovës rrit masat e sigurisë në gjithë vendin - NACIONALE

Zhvillimet në veri: Policia e Kosovës rrit masat e sigurisë në gjithë vendin

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka rritur masat e sigurisë, “për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në shkallë vendi”, kjo pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit.

Në një komunikate për media, policia ka bërë me dije se janë shtuar masat e sigurisë në vend, duke përfshirë këtu edhe në veri.

“Me qëllim të shtimit të sigurisë publike dhe parandalimit të incidenteve të natyrave të ndryshme, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë në vend, përfshirë veriun e vendit ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa sulme/incidente serioze kriminale.

Me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim.” – thuhet në njoftim.

Policia mes tjerash, ka treguar se planifikimet do të fokusohet në rritjen e prezencës policore në terren, duke bërë më shumë patrullime në zona “më kritike”.

“Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në teren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët.

Policia me anë të veprimeve operative dhe atyre inteligjente do të ketë synim që të ruajë rendin e qetësinë publike, të parandalojë aktet kriminale e të hetojë e vejë para drejtësisë të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues.” – shkruan mes tjerash.

Në fund, policia ka shkruar:

“Qëllimi i operacioneve policore do të jetë siguria e qytetarëve, siguria e pronës së tyre e pronës publike dhe asaj institucionale.

Duke pasur parasysh se ndihmë të madhe në realizimin e objektivave policore për më shumë siguri në vend, ka edhe bashkëpunimi me qytetarë, policia duke falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, fton qyfterët që edhe tani e tutje të ndajnë me ne informacione që shkojnë në drejtim të rritjes së sigurisë për të gjithë pa dallim”.

Ndryshe, të enjten është sulmuar me granatë dore ndërtesa e Komunës së Zveçanit. Ky nuk është sulmi i vetëm kohëve të fundit. Dy ditë më parë, më saktë të mërkurën, u hodhën dy granata dore sërish në Zveçan, ndërsa disa ditë më herët, Policia e Kosovës konfiskoi granata, pushkë, maska e uniforma në këtë komunë.

Dy ditë më parë, më saktë të mërkurën u hodhën dy granata dore në Zveçan.

“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM

Zveçan 26.11.2024, 23:55. Është raportuar se nga persona të panjohur janë hedhur dy granata dore në oborrin e stacionit policor, ku përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime” – thuhej në raportin 24-orësh të PK-së.

Për sulmet ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.

“Në katër komunat atje ka edhe siguri, ka edhe zhvillim, ka edhe demokraci. Jo sa do të duhej, po pakrahasimisht se sa më parë...Keqbërës, ndonjë element terrorist nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat paralele, grupet kriminale që kanë ekzistuar atje ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë, ose strehohen ndonjë kund edhe jashtë rajonit tonë...Janë akte kriminale dhe terroriste, që kanë qëllim për të ndjellur frikë” - tha Kurti.

Lajme të ngjashme