Zgjedhje lokale bashkë me ato parlamentare? Kundërshtohet ideja e VV-së
Ideja e VV-së për organizimin e zgjedhjeve lokale bashkë me ato parlamentare, është pritur me kundërshtime.
Si nga partitë politike, ashtu edhe nga shoqëria civile.
Këtë ide dje e tha kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Por nuk përjashtohet situata ku mund të mbahen të dyja bashkë. Ne nuk jemi kundër si LVV-ja, nuk është ky qëndrimi ynë primar. Por në qoftë se mbahet peng dhe nuk konstituohet Kuvendi atëherë e vetmja zgjidhje tjetër janë zgjedhjet. Ndonëse ne e dimë që pa u konstituuar Kuvendi nuk mund të shkohet në zgjedhje, por kjo mund të bëhet me një marrëveshje të re politike”, tha Haxhiu.
Eugen Cakolli nga KDI-ja, dje tha se organizimi i dy pale zgjedhjeve, mund ta dëmtojë cilësinë e procesit zgjedhor.
”Ideja që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën ditë është e papërgjegjshme dhe rrezikon të dëmtojë seriozisht cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik. Tri fletëvotime për çdo qytetar, tri nivele kandidatësh, procedura të ndërlikuara, komisionerë të papërgatitur, ngarkesë për trupat menaxhuese të zgjedhjeve, dy lloj fushatash – dhe mbi të gjitha, paqartësi e madhe për votuesin. Për më tepër, rriten gjasat për gabime "teknike", vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata. Ky skenar nuk po shtyhet përpara sepse është i arsyeshëm, por sepse partitë politike, e sidomos partia e parë, po kërkojnë një “zgjidhje” për krizën që vetë e kanë krijuar. Në vend që të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientohen drejt një formule që përzien dy procese të ndara, vetëm për të krijuar një rifillim artificial”, tha ai.
Zgjedhjet si zgjidhje të bllokadës, i sheh edhe PDK-ja, por kryetari i saj, Memli Krasniqi thotë se është e vështirë të organizohen bashkë me ato lokale.
“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme brenda një procesi kushtetues edhe nëse nuk është zgjedhja e parë as e partive as e qytetarëve, mund të bëhet e domosdoshme. Qëndrimi im ka qenë i ditur, unë kam shkuar edhe një hap tutje, i kam pas propozuar edhe datat e mundshme. Unë nuk e shoh të mundshme që zgjedhjet të mbahen në të njëjtën datë sepse afatet kushtetuese janë kokëforta, nuk mund të interpretojmë kushtetutën jashtë afateve”, tha ai pas takimit te Osmani.
Edhe Arben Gashi i LDK-së, deklaroi se është e vështirë organizimi i dy palë zgjedhjeve për një ditë.
“Mund të vimë edhe në atë situatë kur zgjedhjet janë zgjidhje. Zgjedhjet janë gjithmonë zgjidhje në demokraci dhe politikë nëse partitë politike dakordohen, patjetër që duhet të mbahen. Por zgjedhjet do të jenë shumë të komplikuara, problematike me menaxhimin nga KQZ. KQZ ka dështuar të menaxhojë zgjedhjet e fundit dhe mendoj që do të jetë e pamundur që të menaxhohen dy palë zgjedhje”, deklaroi deputeti i LDK-së.
Njëjtë u shpreh edhe deputetja tjetër e LDK-së, Hykmete Bajrami.