Zelensky zotohet se do t’i gjejë vrasësit e ushtarit të paarmatosur me cigare
Ukriana është zotuar se do t’i gjejë trupat ruse që qartazi vranë një të burgosur ukrainas të luftës, pasi në internet u publikua një video e aktit.
“Ne do t’i gjejmë vrasësit”- tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të hënën në mbrëmje.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime, raporton televizioni BBC.
Në videon e publikuar në internet, ushtari ukrainas shihet duke thithur një cigare në një llogore. Ai thotë “lavdi Ukrainës” para se të qëllohet me armë automatike.
Njëri nga ushtarët rusë – që nuk shihet në video – dëgjohet pasta duke thënë “vdis” dhe duke përdorur një shprehje fyese.
Televizioni BBC nuk i ka vërtetuar vendin dhe kohën e incizimit të videos. Pamjet u shfaqën së pari në internet të hënën.
As i burgosuri ukrainas i luftës, as vrasësit nuk janë identifikuar, por BBC-ja ka marrë vesh se ai ishte në Brigadën e 30-të.
Rusia nuk e ka komentuar këtë rast.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë i kanë akuzuar trupat ruse për kryerjen e krimeve masive të luftës që nga fillimi i luftës më 24 shkurt të vitit të kaluar. Rusia i ka mohuar këto akuza.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelensky tha se “pushtuesit” vranë “një luftëtar që me trimëri ua tha në fytyrë: Lavdi Ukrainës!”
“Dua që ne të gjithë t’u përgjigjemi fjalëve të tij së bashku, me unitet: Lavdi heroit! Lavdi heronjve! Lavdi Ukrainës”- shtoi presidenti ukrainas.
Avokati i popullit i Ukrainës, Dmytro Lubinets, i akuzoi trupat ruse për kryerjen e krimeve të luftës, duke i shkelur Konventat e Gjenevës sa i përket trajtimit të të burgosurve të luftës.