Ymeri: Kurti e ka kuptuar se nuk ka rrugëdalje, përveç se ta bëjë Asociacionin
Opinionisti politik, Visar Ymeri, ka folur për 6 kushtet e kryeministrit Albin Kurtit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Sipas ish-bashkëpartiakut të Kurtit, këto 6 kushte tregojnë se kryeministri ka vendosur për ta themeluar Asociacionin.
Ai ka theksuar se kjo është rruga e vetëm që e shpien Kosovën përpara, e këtë, sipas tij, Kurti e ka të qartë.
“Kurti e ka kuptuar se nuk ka rrugëdalje tjetër, përveç se ta bëjë Asociacionin. E shpresa e të gjithë neve është se kjo do t’i hapë rrugë përfundimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, shpresa jonë është që do të jetë në dobi të Republikës së Kosovës, ky përfundimi i dialogut”, ka deklaruar Ymeri në Debat Plus.
Ymeri beso se opozita është duke e përkrahur, pasi janë të informuar që nuk ka rrugë tjetër, përveç kësaj. Sipas tij, kjo është arsyeja se pse opozita është kaq racionale.
“Qasjen e tyre e kanë në mbrojtje të interesave shtetërore sesa në luftën politike ditore ndaj kryeministrit”, ka përfunduar ai.
