Xhaferin e uron Kosova: “Shqiptarët prijës të denjë”, “Arritje e rëndësishme për të gjithë shqiptarët”, “Moment historik”
Çka ishte në sferën e të pamendueshmës për kohë pafund në të kaluarën e Maqedonisë së Veriut, sot ndërroi njëherë e përgjithmonë.
Një kryeministër shqiptar u zgjodh për të udhëhequr njëqind ditëshin e fundit të ekzekutivit.
Talat Xhaferin e votuan duart e 65 ligjvënësve në parlamentin maqedonas – për të qeverisur gjer në zgjedhjet e reja nacionale dhe presidenciale.
Historia doli që s’është e gdhendur në gurë, por e rigdhendshme.
Zgjedhja e Xhaferit u brohorit dhe qe lajm i gëzueshëm anëegjerë zonave shqiptare në rajon, ku tashmë kanë nisur urimete para nga krerët shtetëror të Kosovës.
“Moment historik të rëndësishëm për komunitetin shqiptar”, e quajti Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zgjedhjen e Xhaferit, përmes një postimi në “X” ku uroi kryeministir e posazgjedhur.
Urime, Kryeministër Talat Xhaferi!
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) January 28, 2024
Today marks an important milestone for the entire Albanian community in 🇲🇰, reflecting their vital contribution to the country’s statehood & journey towards Euro-Atlantic integration.
I wish the gov’t & all institutions of 🇲🇰 every success. pic.twitter.com/ne5CjajsEa
“Sot shënon një moment historik të rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoni të Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë dhe rrugëtimin e vendit drejt integrimit euroatlantik”, shkroi Osmani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca zgjedhjen e Xhaferit kryeministër e quajti “arritje të rëndësishme për të gjithë shqiptarët”.
“Kryeministri shqiptar, sado me kompetenca dhe kohë të limituar, thyen një barrierë të perceptimit për këdo. Urojmë që kjo përgjegjësi e re t'iu shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim”.
“Bërja e Z. Xhaferi kryeministër deri në realizimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut vjen si mundësi që pjesëmarrja dhe integrimi i plotë i shqiptarëve të vlerësohet si synim i pashmangshëm, aq sa edhe përparimtar, prej të cilit përfiton më së miri vetë Maqedonia e Veriut”, uroi Konjufca.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, 28 janarin e quajti “ditë historike, të krenarisë dhe emocioneve të larta” në rasti ne zgjedhjes së Xhaferit kryeministër.
“Sot, i uroj të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që përpjekjet e tyre shekullore për barazi, drejtësi e faktorizim, po kulmojnë me kryeministrin e parë shqiptar në histori të këtij shteti”, tha Krasniqi.
“Sot, mbi të gjitha, është dita për të përgëzuar edhe liderin e shqiptarëve në këtë shtet, heroin e luftës dhe paqes, Ali Ahmetin, i cili, me maturinë dhe vizionin e tij luajti rolin kryesor në ngritjen e shqiptarëve dhe realizimin e kësaj të arriture historike”, shtoi ai.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po ashtu ka uruar Xhaferin, teksa ka shtuar se “le të jetë ky një inspirim për secilin shqiptar tjetër në këtë Republikë”.
“Shqiptarët, si popull autokton, janë jo vetëm faktor stabiliteti në Maqedoni të Veriut, por dhe prijës të denjë në gjithë rrugëtimin euroatlantik për secilën shoqëri. Talat Xhaferi është i tillë!”.
Ndërkaq, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e quajti zgjedhjet e Xhaferit si “lajmin më të mirë për të ardhmen e shqiptarëve atje dhe për shtetin tonë fqinj”.
“Mikut tim Talat Xhaferi, sikurse kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i uroj përzemërsisht për këtë të arritur historike, duke qenë të bindur se e ardhmja jonë e përbashkët është në Bashkimin Evropian, në NATO dhe mekanizma tjerë të rëndësishëm ndërkombëtar”, tha Haradinaj.
Zgjedhja e Xhaferit
Talat Xhaferi edhe zyrtarisht është zgjedhur kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Zgjedhja e tij është bërë në seancën e sotme të Kuvendit të Maqedonisë, ku u votua për një qeveri teknike.
Xhaferi mori votat e 65 deptuetëve, abstenim ishin 0 vota, kundër 3 deputetë.
Zgjedhjen e tij e kundërshtuan nga VMRO-DPMNE, dhe opozita shqiptare.
Deputetë të opozitës në parlament, që nuk e votuan Talat Xhaferin për kryeministër janë:
Fadil Zendeli, Izet Mexhiti, Merita Koxhaxhiku, Kastriot Rexhepi, Afrim Gashi dhe Safije Sadiku Shahini.
Deri te zgjedhja erdhi pas një marrëveshje qysh kohë më parë ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së.
Kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, gjatë seancës në Kuvend për formimin e qeverisë së re, ka treguar për prioritetet për 100 ditë të qeverisjes.
Ai ka thënë se respektimi i ligjit dhe përgatitja e zbatimi i sukseshëm i zgjedhjeve janë ndër parimet.
“Puna e qeverisë do të zbatohet në këto parime: respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë së Veriut, përgatitja dhe zbatimi i suksesshëm i zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe presidenciale, të lira dhe konkurruese në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian.” – ka thënë ai
Tutje ai ka thënë se do të mbajë lidhjet me BE, NATO e SHBA.
“Mbajtjen e shkallës së lartë të dialogut, transparencës dhe llogaridhënies. Mbajtja e avancimit të lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, aleancën e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndëretnike, kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm dhe integrimin, e suksesshëm euroatlantik.” – ka thënë ai.