Nis dekompozimi i shumicës parlamentare të VV-së, a kanë më numra? - NACIONALE

Nis dekompozimi i shumicës parlamentare të VV-së, a kanë më numra?

1 javë më parë

nga NACIONALE

Krejt në fund të legjislaturës Lëvizjes Vetëvendosjes po i dekompozohet shumica e padiskutueshme parlamentare.

Dy deputetë të kësaj partie dhanë dorëheqje sot dhe pagëzuan një koalicion të ri para-zgjedhor: Eman Rrahmani dhe Visar Korenica.

Nacionale ka kuptuar nga burime të saj se këtë rrugë largimi nga partia do ta ndjek edhe Drita Millaku e cila pritet të kalojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kështu prej 56 deputetësh VV ulet në 53.

Rrahmani e Korenica: traka konvervatore...

Qe kohë flitej për një ‘fraksion’ konservatorësh përbrenda Lëvizjes Vetëvendosje që kishin kundërshti të theksuara nga partia e tyre: kryesisht për shkak të ngjyrimeve fetare.

Kodi Civil ishte boshti i thyerjes mes tyre: derisa supozohej se ky ‘fraksion’ ishte më i madh në numër me të deklaruarit më hapur si Eman Rrahmani, Visar Koremica e Gramos Agusholli.

Në njoftimin e tyre të sotëm Rrahmani i qëndroi lajtmotivit konservator për “familje tradicionale si kauzë” derisa kritikoi çështjet si fertilizimi i asistuar dhe Kodi Civil për martesat e gjinisë së njëjtë.

Narrativa e qeverisë ka tentuar ta paraqesë si kusht për integrime evropiane...nuk ka qenë e as nuk do të jetë”, pretendoi Rrahmani.

Këta dy të fundit veçse patën nisur – me tone fushateje elektorale – të ngrisnin çështjen e shamisë në shkolla për vajza nën tetëmbëdhjetë vjeçare si shtrëngesë e një udhëzimi administrativ.

Deputetja Milaku poashtu pritet të largohet nga partia Vetëvendosje, me pakënaqësitë që tashmë i ka zhvendosur në sipërfaqe; ndërsa për largimin ka thënë “nuk jam t’u u ngut në vendim”.

Pakënaqësi ka patur dhe ka prej fillimi mes nesh dhe Vetëvendosjes. Të rejat do t’i merni vesh pas pak ditësh”, ka thënë ajo.

Kuorumi i shumicës thehet

Seanca e sesionit vjeshtor të enjten dështoi në mungesë kuorumi duke shpërfaqur dekompozimin e shumicës parlamentare për të funksionuar kjo legjislaturë.

Qeveria Kurti II ishte votuar me 67 vota, ku nga fillimisht sa kishin 58 deputetë, ishin votuar edhe nga komunitetet joserbe (9 vota).

Doarsa Kica-Xhelili kishte kapërcyer në LDK dhe Adelina Grainca kishte dalë në VV: duke e njëjtësuar numrin fillestar.

Pastaj kishin pasuar largimi i Haki Abazit dhe Fatmir Humollit: kësisoji duke e reduktuar numrin në 56 deputetë të shumicës parlamentare.

Me largimin e Rrahmanit dhe Korenicës – tash të zyrtarizuar – dhe Millakut: numri bjen në 53.

Të enjten kaluar Glauk Konjufca ndërpreu seancën për çka shtoi se “së paku tre deputetë të mazhorancës nuk do të votojnë asnjë projektligj...kështu që nuk ka kuorum”.

Kuvendi i Kosovës kishte të paraparë ratifikimin e tre marrëveshjeve ndërkombëtare në atë seancë.

Hiç më larg se dje dështoi sërish në mungesë kuorumi mbajtja e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, dhe u shty për një ditë tjetër.

Shtyhet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot në orën 11:00, shtyhet për një ditë tjetër. Për mbajtjen e saj do të njoftoheni me kohë”, u tha në njoftim.

Partitë veçse kanë nisur fushatat e tyre përkatëse zgjedhore; për zgjedhjet në nivel vendi që mbahen me 9 shkurt.

Lajme të ngjashme