VV: Ku fitoi dhe ku shkon në balotazh? - NACIONALE

VV: Ku fitoi dhe ku shkon në balotazh?

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje pritet të fitojë që në raundin e parë në Podujevë, Shtime dhe Kamenicë, teksa mbetet në garë për nëntë komuna tjera.

Sipas rezultateve të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të 93.81% të vendvotimeve (106 nga 113), Bulliqi udhëheq bindshëm në Podujevë me 53.02% të votave, që përkthehet në 18,897 vota.

Në Shtime, kandidati i VV-së Qemajl Aliu udhëheq bindshëm me 50.52% të votave (6,744 vota), duke lënë prapa kandidatin e PDK-së, Përparim Ramusën, me 36.87% (4,921 vota).

Ndërkohë, në Kamenicë, kandidati i VV-së Kadri Rahimaj po prin me 51.23% të votave (6,832 vota), përballë Qëndron Kastratit të PSD-së, që ka 27.20% (3,628 vota).

Komunat ku VV pritet të shkojë në balotazh

Në Mitrovicë të Jugut, kandidati i VV-së, Faton Peci, renditet i dyti me 47.66% të votave (15,146), shumë afër kandidatit të PDK-së Arian Tahiri, i cili ka 48.07% (15,278).

Në Fushë Kosovë, Valon Prebreza i Vetëvendosjes udhëheq me 45.14% të votave (9,529) përballë Besnik Osmanit të LDK-së, që ka 36.62% (7,730) — një epërsi e qartë, por jo e mjaftueshme për fitore pa balotazh.

Në Gjakovë, Ardian Gola i VV-së ka siguruar 33.74% (12,793) të votave dhe pritet të përballet në raundin e dytë me Ardian Gjinin e AAK-së, i cili kryeson me 47.26% (17,922).

Në Kaçanik, Jeton Raka nga VV është shumë pranë kryesimit me 37.98% (5,960 vota) përballë Sabedin Vishit të PDK-së, që ka 39.72% (6,234) – diferencë e vogël që e mban garën të hapur për balotazh.

Në Obiliq, Halil Thaçi i Vetëvendosjes ka 44.04% (5,505 vota), duke u renditur menjëherë pas Xhafer Gashit të LDK-së, që ka 46.47% (5,809) – një garë shumë e ngushtë që do të vendoset në raundin e dytë.

Në Pejë, Taulant Kelmendi i VV-së është në vendin e dytë me 28.17% (11,434) përballë Gazmend Muhaxherit të LDK-së, që ka 46.10% (18,711).

Në Prishtinë, Hajrulla Çeku nga VV është po ashtu në garë për balotazh me 32.83% (30,337 vota), pas Përparim Ramës së LDK-së, i cili ka 33.92% (31,340) – diferencë minimale.

Në Prizren, kandidati i VV-së Artan Abrashi ka 29.87% (16,691 vota), duke hyrë në raundin e dytë me Shaqir Totajn e PDK-së, që ka 41.92% (23,427 vota).

Në Rahovec, Ali Dula i VV-së ka siguruar 23.92% (4,731 vota), duke hyrë në balotazh me Smajl Latifin e AAK-së, që ka 37.28% (7,373 vota).

Lajme të ngjashme