VV-ja e Qeveria me përpjekje të re, tentojnë të bindin popullin se në Bruksel s’po flitet për dinarin - NACIONALE

VV-ja e Qeveria me përpjekje të re, tentojnë të bindin popullin se në Bruksel s’po flitet për dinarin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur një përpjekje tjetër sfilitëse rreth çështjes së dinarit. Më saktë, VV-ja dhe Qeveria Kurti po e mohon faktin se në Bruksel po diskutohet për çështjen e dinarit. Sipas VV-së, nuk ka diskutime për dinarin, pasi Rregullorja e BQK-së nuk e përmend dinarin. Çka po ndodhë?

Që nga shkurti, e gjithë bashkësia ndërkombëtare, përfshirë ShBA-në e BE-në, janë duke tentuar të gjejnë një zgjidhje rreth ndalimit të përdorimit të dinarit. Madje, Kosova ka përjetuar kritika të ashpra për mënyrën se si ka zgjedhur ta implementojë këtë ndalesë.

Megjithatë, pushteti e ka një gajle tjetër. Qeveria e Kosovës dhe eksponentë të pushtetit kanë nisur një ndërmarrje të çuditshme, duke tentuar të i bindin qytetarët se në Bruksel nuk po diskutohet për dinarin.

Dje pas takimit në Bruksel, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, e nisi edhe një herë këtë argument. Në fjalën e tij para medies, Bislimi, që është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun në Bruksel, tha se s’ka diskutim për dinarin, pasi Rregullorja e BQK-së nuk e përmend dinarin.

“Ky takim as nuk ka qenë i fundit e as i pari për dinarin, mendoj që është koha e fundit që ta shmangni këtë gabim në informim. Takimi është për të trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës, brenda rregullores së BQK-së.

Rregullorja e BQK-së nuk e përmend dinarin, rrjedhimisht as nuk ka diskutime për dinarin.” – tha ai.

Këtij deklarimi i bëri jehonë edhe vetë Qeveria e Kosovës, e cila e postoi fjalimin e Bislimit në profilin zyrtar të saj në Facebook. Në postim, u përdorë një eufemizëm për diskutimet rreth dinarit. Sipas Qeverisë së Kosovës, takimi ishte “për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë”.

“Ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë. Propozimet tona për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda Rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana e jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur.” – shkruhej në postimin e Qeverisë së Kosovës.

Pas Qeverisë së Kosovës, kësaj ndërmarrjej “special” ia dha një “hyzmet” edhe Arlind Manxhuka, zëdhënës i VV-së. Edhe në shkrimin e Manxhukës është e njëjta logjikë, i njëjti diskurs, i njëjti refuzim se në Bruksel për diskutohet për çështjen e dinarit.

“Në Bruksel, nuk po diskutohet, negociohet apo jepen propozime e ide për dinarin, apo për përdorimin e dinarit. Në Bruksel, nuk po diskutohet, negociohet apo jepen propozime e ide për përmbajtjen e rregullores së BQK-së.

Në Bruksel, po diskutohet për formën që Serbia duhet të ndjekë për dërgimin e mbështetjes financiare që ajo e bën për komunitetin serb, pasiqë për vite me radhë ajo u bë në mënyrë jo transparente e ilegale. Pra, po diskutohet mbi gjetjen e një mënyre që është dhe konform rregullores së BQK-së për Operacionet me Para të Gatshme, dhe konform kornizës ligjore në Republikën e Kosovës.” – shkroi ai.

Lajme të ngjashme