Festa e VV-së për një intervistë të Kurtit - që CNN as s'e publikoi në YT - mund të ketë domethënie politike - NACIONALE

Festa e VV-së për një intervistë të Kurtit - që CNN as s'e publikoi në YT - mund të ketë domethënie politike

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë dha një intervistë të shkurtër në CNN. Kjo bëri që simpatizantët e tij – besojeni ose jo – të shpërthenin në një krenari jashtë proporcioneve të imagjinueshme, duke ravijëzuar kësisoj strategjinë e re të raporteve me publikun (PR) nga Lëvizja Vetëvendosje.

Shqiptarët e Kosovës kishin ngrënë iftar mbrëmjen e 4 prillit të pashqetësuar fort me pallavrat politike të ditës.

Vetëvendosje e kishte paralajmëruar një intervistë të kryeministrit Albin Kurti në CNN. Por kaq. Ishte thjesht një paralajmërim i zakontë si për intervistat e dhëna në Sky News, The Independent, The Guardian dhe të tjera.

Sidoqoftë, menjëherë pas orës 9 të mbrëmjes, në mënyrë të papritur, të pakuptueshme e të çuditshme, nisi një spektakël krenarie për intervistën që do të jepej pas dy orësh nga kryeministri. Pra, ende pa u dëgjuar asnjë fjalë e vetme prej tij.

Ky spektakël nga simpatizantët e Vetëvendosjes ishte veçanërisht gjëmues në rrjete sociale, përfshirë edhe grupin e tij “meKryeministrin”, por ku nuk munguan as deputetë, aktivistë e zyrtarë tjerë të partisë.

Pra, e gjitha kishte nisur ende pa u thënë asnjë fjalë nga ana e kryeministrit.

“Sapo përfundoi intervista e kryeministrit Kurti për CNN. Transmetimi i saj bëhet në ora 23:00 (me orë lokale) në CNN”, shkruante zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, në orën 10 të natës.

Në anën tjetër, intervistën duket se e përcolli edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që si një komunikuese lajmesh u shpreh.

“Kryeministri Kurti për #CNN tha se Putin duhet të përballet për krime lufte, foli për mundësinë e Kosovës për anëtarësim në NATO, për fuqizimin e kapaciteteve të ushtrisë tonë dhe se nuk ia kemi frikën Serbisë e cila është në anën e Rusisë”, tha ajo.

Komentuesi i mësipërm në grupin e Vetëvendosjes e quan madje "gjigant amerikan" rrjetin televiziv CNN. Në anën tjetër, në një emision televiziv, analisti pro-Vetëvendosje me emrin Krenar Shala, kishte përmendur disa herë intervistën me tone superlative edhe pse nuk e kishte dëgjuar fare.

Ç K A u tha në intervistë?

Në këtë intervistë, Kurti shprehu pozicionimin pro-Perëndimor të Kosovës duke denoncuar agresionin rus në Ukrainë dhe duke përmendur mundësinë që konflikti të zgjerohet edhe në rajonin tonë. Të njëjtat qëndrime, Kurti i kishte shprehur edhe në intervistat e kaluara.

“Por nuk jemi të frikësuar, për shkak të partnerëve tonë në NATO, SHBA, Britani, Francë e Gjermani”, ishte shprehur z. Kurti.

Kryeministri shtoi se Serbia dëshiron paratë e BE-së, armët ruse dhe investimet kineze, por edhe "tolerancën amerikane".

Për më tepër, Kurti mbrëmë u shpreh krenar me institucionet e sigurisë së Kosovës si FSK-ja dhe Policia e Kosovës - e të cilat i kishte kritikuar ashpër gjatë kohës sa në pushtet ishin partitë tjera.

Ç K A na thonë fjalët e simpatizantëve të Vetëvendosjes?

Prej tash e tutje, intervistat e kryeministrit Kurti për mediumet ndërkombëtare - në mungesë të sukseseve të prekshme në qeverisje - mund të paraqiten si arritje të mëdha nga Lëvizja Vetëvendosje.

Siç mund të vëreni madje edhe në kryetitujt e CNN, Kurtit vazhdimisht i referohen si "Kryeministri i Kosovës" dhe ai është ftuar në emision për të treguar qëndrimin e vendit tonë për çështjet në fjalë më shumë se sa të shprehë qëndrimet e tij individuale (siç mund të pretendojnë simpatizantët).

Madje, deri në momentin që po flasim, CNN nuk ka publikuar fare intervistën me kryeministrin Kurti në kanalet e saj zyrtare në Youtube (CNN dhe CNN+) çka ka pamundësuar simpatizantët e VV-së që t'i shpërndajnë ato në llogaritë e tyre dhe grupeve në të cilat marrin pjesë.

Lajme të ngjashme