Vulin për rezolutën e PE-së: Mënyra më e mirë që Serbia të kuptojë se nuk e ka vendin në BE - NACIONALE

Vulin për rezolutën e PE-së: Mënyra më e mirë që Serbia të kuptojë se nuk e ka vendin në BE

4 vjet më parë

nga NACIONALE

“I bëj thirrje deputetëve të Parlamentit Evropian që të vazhdojnë politikën e shantazhit dhe presionit ndaj Serbisë dhe të miratojnë sa më shpejt Rezolutën me të cilën kërkojnë nga Serbia të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse. Nuk ka mënyrë më të mirë që Serbia të kuptojë se nuk e ka vendin në Bashkimin Evropian sesa politika e deputetëve të Parlamentit Evropian, andaj kërkoj nga eurodeputetët që as të mos ndryshojnë rastësisht dhe të vazhdojnë të na fyejnë dhe shantazhojnë, të vazhdojnë të tregojnë se sa nuk i njohin serbët, dhe se sa nuk është e rëndësishme për ta që t'i njohin serbët”, ka thënë ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, shkruan N1.

Reagimi i Vulinit vjen me rastin e paralajmërimit për një rezolutë të PE-së në të cilën do t'i kërkojë Serbisë harmonizimin me politikën e jashtme të Bashkimit dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusia.

Vulin po ashtu ka thënë se beson “se presidenti Vuçiq do ta rishqyrtojë vendimin për vazhdimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian”.

“Vetëm shantazhet dhe kërcënimet tuaja mund ta bindin presidentin e të gjithë serbëve, Aleksandar Vuçiq, se duhet të largohet nga politika e përafrimit me Bashkimin Evropian. Prandaj, deputetë të Parlamentit Evropian, mos kini turp që nuk ju pyesin dhe nuk ju dëgjojnë në vendet tuaja, thjesht vazhdoni të sulmoni Serbinë dhe ndihmoni Serbinë dhe Presidentin e të gjithë serbëve që të largohen sa më shpejt nga rruga e anëtarësimit në BE", ka thënë Vulin.

Ai ka vlerësuar se Serbia meqë është ushtarakisht neutrale duhet të jetë neutrale edhe politikisht.

“Që kjo të ndodhë, le të vazhdojnë deputetët me shantazhin”, tha Vulin.

Diskutimi për tekstin e rezolutës së Parlamentit Evropian, autor i së cilës është raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, do të bëhet të enjten, më 21 prill, në Komisionin për Politikë të Jashtme të PE-së.

Lajme të ngjashme