Vuçiq sulmon gazetën britanike nga Tv Prva: "Janë gënjeshtarë patologjikë" - NACIONALE

Vuçiq sulmon gazetën britanike nga Tv Prva: "Janë gënjeshtarë patologjikë"

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot në mëngjes ka qenë i ftuar në TV Prva, ku ka folur për të gjitha temat aktuale dhe të rëndësishme për shtetin. Ai ka komentuar edhe shkrimin e gazetës britanike The Guardian, e publikuar edhe në Nacionale, ku thuhej se Serbia është kali i Trojës i Putinit.

“Gazetës britanike ‘The Guardian’ i pëlqen shumë të gënjejë, ata janë gënjeshtarë patologjikë”, ka komentuar Vuçiq pretendimet e tyre se Ballkani po kërcënohet nga trazirat. “Ka përpjekje nga njerëz të papërgjegjshëm për të bërë diçka, ata besojnë se mund të provokojnë ndonjë konflikt. I kam lutur serbët nga Kosova që të ruajnë paqen”, thotë Vuçiq.

“Është e rëndësishme që serbët në Kosovë të votojnë, por më e rëndësishme është që ata të jenë gjallë. Duhet të jem i kujdesshëm, çdo fjalë e rëndë e imja mund t'i rrezikojë ata. Albin Kurti dhe Gjukanoviq po e shfrytëzojnë rastin, puna e tyre e vetme është të përgojojnë Serbinë, se Vuçiq është Putini i vogël, Serbia është Rusia e vogël”, thotë Vuçiq.

Vuçiq thotë se Serbia nuk është shërbëtore e askujt dhe nuk zbaton urdhrat e askujt, as të Rusisë dhe as të Amerikës. Ai më tej thotë se Serbia ka fituar përvojë nga viti 1999.

“Unë nuk jam gjunjëzuar as në Shtëpinë e Bardhë, e as në Bruksel, kështu që nuk do të gjunjëzohem as para gënjeshtrave të Guardian-it. I pyes gënjeshtarët e Guardian: A ishte agresion sulmi ndaj Serbisë? Ne e trajtojmë sulmin ndaj Serbisë dhe sulmin ndaj Ukrainës në të njëjtën mënyrë,” tha Vuçiq. “19 dhunues u mblodhën për të sulmuar Serbinë. A ju kujtohen historitë boshe për një milion refugjatë, kurse pas luftës ka më shumë shqiptarë në Kosovë. Kjo flet për histeri dhe pafuqi, maltretim të një vendi të vogël”.

Presidenti i Serbisë tha se pas zgjedhjeve do të zbulojë se çfarë lloj arme po vijnë në Serbi, duke theksuar se nuk janë nga Federata Ruse.

“Askujt në rajon nuk do t'i shkojë mendja ta prekë Serbinë, nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak të fuqisë së saj.”

Lajme të ngjashme