Vuçiq reagon: Luftë e ashpër në Bruksel, por e suksesshme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se sot do të përgjigjet për të gjitha “manipulimet” sipas tij, që janë bërë lidhur me takimin e djeshëm të Brukselit.
Ai e ka konfirmuar se ka pasur bisedime të vështira, por që sipas tij, kanë qenë të sukesshme.
Në një video në Instagram, Vuçiq ka thënë se ka luftuar për të ardhmen e Serbisë.
“Po analizoj çka ka ndodhur. Kemi luftuar aq sa ka qenë e mundur në ato kushte të vështira dhe kemi luftuar për të ardhmen e Serbisë në paqe, për vazhdim të investimeve për shtetin tonë. Dhe po ashtu unë e mbaj premtimin për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën e Metohinë si pjesë të Serbisë”, ka thënë Vuçiqi. “Për ne, s’ka tjetër Serbi, e kemi një dhe do ta mbrojmë”, deklaroi presidenti serb.
Të hënën, Vuçiqi e kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel u dakorduan për tekstin e propozimit evropian për atë që po cilësohet marrëveshje bazë për normalizim. Pas takimit, Kosova u shpreh se ishte e gatshme ta nënshkruante, por këtë s’e bëri Serbia.