Vuçiq: Po na vinë me një propozim “merre ose leje” për Asociacionin, nuk do ta marrim - NACIONALE

Vuçiq: Po na vinë me një propozim “merre ose leje” për Asociacionin, nuk do ta marrim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Duke folur në një pritje që ua bëri serbëve të Kosovës për tubimin mbështetës të 26 majit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se komuniteti ndërkombëtar po vjen “me një marifet të ri në fund të qershorit” për Asociacionin, propozim ky që, sipas tij, parashihet të jetë i natyrës “merre ose leje”. Kështu tha Vuçiq t’i ketë thënë ventrilokisti i tij, Petar Petkoviq, ditën e sotme.

Nuk janë kohë të lehta për ne, para se të vija këtu, Petar Petkoviq më tha se situata është e vështireë dhe komuniteti ndërkombëtarë ka dalë me marifetin e tyre të ri me të cilin duan të më bëjnë presion – merre ose leje në fund të qershorit, për të krijuar një grup ekspertësh për të na imponuar një Asociacion të Komunave Serbe. I thash, merre me kollaj, asgjë nuk ndodh, nuk zgjidhet kjo brenda natës. I thash që funksioni i Ekipit Menaxhues dihet, dihet çfarë duam dhe çfarë nuk do të pranojmë”, tha Aleksandar Vuçiq, siç e cituan mediat serbe.

Presidenti i Serbisë, tha se Asociacioni për palën serbe është i pranueshëm sipas marrëveshjes së vitit 2015, dhe se do të jetë ashtu “ose nuk do të jetë fare”.

Do të jetë ose ashtu ose s’do të jetë fare. Të huajtë janë mësuar të sillen në mënyrë arrogante, dhe duhet të jetë dikush i trash, i madh që thotë: nuk mund të jetë kështu. Ne duhet të mbrojmë atë çfarë na u është vjedhur për një kohë të gjatë”, tha ai.

Ditëve të fundit, Vuçiq ka reaguar edhe ndaj vetë Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit i ngarkuar për çështje të Ballkanit, Gabriel Escobar. Në veçanti pasi emisari amerikan tha se pret nga pala kosovare të paraqesin një draft-Statut për Asociacionin. Këtu, Vuçiq tha se s’ka se si të mos reagojë.

Escobar po thotë: tani ne presim propozimin e Kosovës për Asociacionin. Më duhet t’ia kujtoj atij, dhe këtë nuk do të ma falë; që të kthehet dhe ta rilexojë materialin, ta lexojë atë që është e shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe në shtojcat. Prishtina nuk e ka asnjë autoritet, kompetencë e as asnjë të drejtë të bëjë propozime”, tha Vuçiq duke folur pë RTS-në.

Vuçiq edhe më 2 maj pas takimit të Nivelit të Lartë tha se “goditëm murin” sa i përket Asociacionin, dhe u shpreh se ose do të bëhet sipas marrëveshjes 2013 dhe 2015, “ose shihemi, përfundon gjithçka”.

Por, Escobar, në veçanti kohëve të fundit, është shprehu i prerë në atë se Asociacioni, përnga pikëpamja amerikane, do të mbështetet vetëm përbrenda parametrave kushtetues dhe ligjorë të Kosovës, gjë për të cilën Vuçiq e quan “përallë”.

Escobar-it, Vuçiq iu drejtua me “zotëri, shih çfarë thuhet në marrëveshje”./Nacionale/

Lajme të ngjashme