Vuçiq, KFOR-it: Nesër veproni siç duhet, mos e lini Kurtin ta hapë urën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur rreth zhvillimeve të fundit të mbylljes së nëntë zyreve të Postës së Serbisë në veri të Ksoovës, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “dëshiron të shkaktojë konflikt para zgjedhjeve në ShBA”.
“Kurti po provokon sepse i mbaron koha dhe kërkon të shkaktojë konflikte para zgjedhjeve amerikane, jo për të pritur një ndryshim të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë, por për të na kthyer kundër NATO-s para kësaj. Është e vështirë për popullin tonë, por nuk është pasojë e politikës sonë, por e dhunës”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, siç e citoi “Nova”.
"Ai është nervoz. Është e vështirë për njerëzit tanë në Kosovë, por pozicioni i tyre politik nuk është aq i thjeshtë sa, për shembull, dy vjet apo një vit më parë. Ne duhet të jemi racionalë, seriozë, të vendosur...”.
“Por shpresoj se nesër KFOR-i do të reagojë siç duhet, që në përputhje me atë që kanë thënë ditët e kaluara, do ta mbyllin urën dhe do ta parandalojnë pushtimin e shqiptarëve, sepse e pashë që (Agim) Bahtiri me urdhër të Kurtit tashmë kishte caktuar një kundërtubim si kundërpërgjigje ndaj tubimit serb në anën tjetër të urës...”, tha Vuçiq.