Arrestohet i dyshuari që vrau nënën e tij: S'është në gjendje të flasë, intervistohet nesër në prani të psikologut
20:27 - Prokurorja e rastit ka konfirmuar se gruaja që është vrarë sot në Pejë, është privuar nga jeta nga i biri i saj.
Para mediave, ajo ka thënë se i njëjti është arrestuar tashmë.
“Sot me datë 14 prill 2023 rreth orës 16:00 nga sektori i hetimeve, jemi njoftuar se ka ndodhur një vrasje në qytetin e Pejës, konkretisht dyshohet se i biri ka privuar nga jeta nënën. I njëjti është arrestuar, në mënyrë që të mos i shkaktojë dikujt tjetër ndonjë dëm apo ta lëndojë vetën.” – ka thënë ajo.
Po ashtu, prokurorja ka bërë të ditur se janë marrë gjurmët dhe provat, po ashtu, janë sigurur edhe dëshmitarë okularë rreth ngjarjes.
“Kemi dalë së bashku në vendin e ngjarjes me njësitin e forenzikës, janë marrë të gjitha gjurmët, provat. Kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës, kemi siguruar edhe dëshmitarë okularë të ngjarjes.” – tha ajo.
Tutje, e njëjta ka deklaruar se kanë provuar që ta marrin në pyetje të dyshuarin, por nuk ka qenë në gjendje që të flasë, kështu që do të intervistohet sërish nesër në prani të psikologut.
“Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, por nuk ka qenë në gjendje në prani të mbrojtësit. Kështu që kemi provuar që nesër në prani të psikologut dhe avokatit, ta marrim në pyetje.” – tha ajo.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, ku një person e ka privuar nga jeta një person tjetër.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova ka bërë të ditur për Gazetën Nacionale se i dyshuari është arrestuar.
“Po, është arrestuar i dyshuari”. – ka bërë të ditur ai.
Rugova për Nacionalen ka treguar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 dhe se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.
“Sot rreth orës 16:00 Policia është informuar në lidhje me këtë rast. Policia ka dalur në vendin e ngjarjes, saktësisht në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë. Aty ka dalur edhe mjeku kujdestar i cili e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Rasti po hetohet për “vrasje të rëndë”.- ka thënë Rugova.
Gazeta Insajderi ka publikuar emrin dhe fotografinë e personit që dyshohet se vrau nënën e tij pasditen e së premtes në Pejë.
Ky medium, raporton se i dyshuari është Urim Hyseni.
Në media paraprakisht u raportua se bëhet fjalë për një vrasje brenda familjes. Konkretisht sipas raportimeve dyshohet se djali e privoi nga jeta nënën e tij.
Ndër të tjera, Gazeta Sinjali ka bërë të ditur se i dyshuari ka jetuar për rreth pesë vjet në shtetin e Gjermanisë dhe kishte ardhur përkohësisht në familjen e tij për vizitë ku pas disa ditësh pritej të kthehej në Gjermani.
Gazeta Nacionale do t'ju të informuar edhe më tej rreth rastit.
