Votat me postë, përditësimi i fundit: LVV-ja 44.33 %, LDK-ja 33.55%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka përditësuar të dhënat e numërimit të votave me postë të qytetarëve që kanë votuar jashtë vendit.
Numërimi i votave që kanë ardhur nga jashtë Kosovës po realizohet në Qendrën e Numërimit të Rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas numërimit të 14.36 për qind të këtyre votave, Lëvizja Vetëvendosje është në vendin e parë me një diferencë jo të madhe nga vendi i dytë, që është LDK-ja,
Në bazë të këtij numërimi LVV-ja ka marrë 44.33 % të votave.
Në vendin e dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës që deri më tani ka 33.55%.
Pas saj renditët Koalicioni AAK-Nisma me 9.68 % të votave, kurse në vendin e katër është Partia Demokratike e Kosovës me 6.48 %.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar edhe statistikat e votave nga diaspora, që kanë votuar në ambasada e konsullata. Aktualisht, janë numëruar 40 kuti, nga 43 në total. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 10 mijë e 898 vota. PDK-ja është e dyta me 1 mijë e 10 vota, kurse LDK-ja ka 1 mijë e 6 vota. Kurse, AAK-ja ka 260 vota.
Ajo që vërehet është se votat me postë po sjellin një rezultat krejt tjetër nga ato të ambasadave dhe konsullatave.
Qytetarët që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës kanë shprehur një përkrahur shumë të madhe ndaj partisë në pushtet.
Kurse, votat me postë po reflektojnë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kjo fenomen e ka çuditur edhe Eugen Cakollin nga Demokracia në Veprim.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nuk beson që diaspora është aq heterogjene.
“Kjo është lista e komunave, nga të cilat janë votuesit që kanë dërguar fletëvotimet e tyre me postë, në kuadër të votimit jashtë vendit. Këto vota, në QNR, do të numërohen komunë për komunë. Megjithatë, duhet theksuar që diaspora si strukturë demografike, nuk është aq heterogjene, andaj edhe do të ishte deri diku i çuditshëm (e mbase indikativ) ndonjë rezultat fort i ndryshëm nga votat në misione diplomatike, sepse fundja, po flasim për grupin e njëjtë socio-kulturor brenda shteteve të ndryshme”, ka shkruar ai.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 345 mijë e 602 vota apo 40.90 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 186 mijë e 203 vota ose 22.03 për qind.
LDK në anën tjetër, 149 mijë e 75 vota ose 17.64 për qind.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me Nismën ka dalë e katërta, me 63 mijë e 34 vota ose 7.46 për qind.