“Vonesat e papranueshme”, komunat kërkojnë nga MASHTI shpërndarjen e teksteve mësimore
Komunat e Kosovës janë shprehur të shqetësuar me vonesën e shpërndarjes së teksteve mësimore nëpër shkolla.
Përmes një njoftimi për medie, Asociacioni i Komunave i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit që sa më parë të nis ky proces.
Sipas AKK-së, vonesat në shpërndarjen e teksteve është e panevojshme.
“Asociacioni i Komunave kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit që sa më parë të nis procesin e shpërndarjes së teksteve mësimore në shkollat e Komunave të Republikës së Kosovës. Kjo vonesë tepër e panevojshme mund tê shkaktoj probleme dhe ngecje në fillimin e mbarë dhe të rregullt të vitit shkollor”, është thënë në njoftim.
Sipas AKK-së, këto vonesa janë të pakuptueshme.
“Viti i ri shkollor për çdo vit nis dhe është i planifikuar të nis njëjtën datë. Së këndejmi vonesat e tilla në shpërndarjen me kohë të teksteve mësimore janë të pakuptimta por edhe të papranueshme. Asnjë justifikim në këtë vonesë nuk i intereson askujt, e më së paku nxënësve dhe arsimtarëve tanë”, është thënë në njoftim.