Vjosa s’flet, Albini ‘i hapur për punë’: Qysh e priti pushteti regresin për lirinë e mediave? - NACIONALE

Vjosa s’flet, Albini ‘i hapur për punë’: Qysh e priti pushteti regresin për lirinë e mediave?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova sot u zgjua me një raport tjetër që tregon situatën në të cilën ndodhet vendi. Indeksi i Reporterëve pa Kufij ka evidentuar regres në lirinë e mediave, duke u ulur për më shumti pikë gjatë dekadës së fundit. Si e priti pushteti këtë?

Sipas raportit që u publikua sot, Kosova ka shënuar rënie për 19 vende sa i përket lirisë së mediave, duke u renditur në vendin e 75. Gjatë vitit që lamë pas, vendi renditej i 56-i.

Në raport, mes tjerash, përmenden edhe sulmet e vazhdueshme të pushtetit ndaj mediave e gazetarëve:

“Edhe pse media me sukses vazhdon t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori joefikas i medieve, KPM, po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet për drejtor. Mediet në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet” – thuhet në raport.

Si e priti pushteti këtë?

Presidentja Vjosa Osmani vendosi të dalë me një komunikatë për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Askund në këtë njoftim, nuk flitej për rënien alarmante të Kosovës sa i përket lirisë së mediave.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit mbështesim dhe inkurajojmë gazetarët, sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ata raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie…” – thuhej aty.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin social “X”, kryeministri Albin Kurti tha se është i gatshëm t’i adresojë “shqetësimet” e mediave.

“Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, ne duam të pranojmë përpjekjen që duhet për të ndriçuar të vërtetën në një kohë dezinformimi të madh dhe të armatosur. Qeveria jonë është e hapur dhe e gatshme të adresojë shqetësimet e medias dhe të punojë drejt një peizazhi më transparent dhe pluralist.” – u shpreh ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i partisë që drejton Kurti, Arlind Manxhuka, i cili njihet për sulme të vazhdueshme ndaj mediave dhe gazetarëve, në tentim për t’u arsyetuar, ka thënë se Reporterët pa Kufij s’e kanë marrë parasysh rastn e dokumenteve të regjistrimit të mediumit Klan Kosova.

Duke folur për emërimin e Rilind Gërvallës si drejtor i RTK-së, ai këtu ka shprehur “çudi”:

Sa i përket shqetësimit për RTK-në duket e çuditshme kur kujtojmë që ka pasur lavdata nga shumë akterë në vend që kanë theksuar mënyrën dhe transparencën që nga zgjedhja e bordit e deri te rekrutimet e tjera atje.” – ka thënë ai.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në anën tjetër, ka thënë se “renditja s’duhet t’i dekurajojë”:

“Pas dy viteve progres të theksuar në Indeksin e Lirisë të Mediave të RSF, renditja e sivjetme nuk duhet të na dekurajoj sepse nuk ka qenë një vit i lehtë, sidomos në aspektin e sigurisë marrë parasysh ngjarjet në veri”.

Lajme të ngjashme