Viti 2023: Seancat gjyqësore shtyhen si pasojë e të ftohtit në Pallatin e Drejtësisë
Është shekulli 21. Viti 2023. Në Kosovë ende institucionet ballafaqohen me probleme elementare.
Një rast që dëshmon këtë situatë është shtyrja e seancave gjyqësore në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, si pasojë e mungesës së ngrohjes.
Një nga seancat e fundit që u shty pikërisht për këtë shkak, ishte ajo ku akuzohet ish-ministri Pal Lekaj, lidhur me 53 milionët e Bechtel Enkas.
Nga Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë thonë se mungesa e ngrohjes në Pallatin e Drejtësisë po shkakton telashe në mbarëvajtjen e punës.
Kryetari i kësaj shoqate sindikale, Naim Rrustemi shprehet se si pasojë e të ftohtit po detyrohen që të ngrohen me nxemje vetanake. Ai thekson se sidomos në orët e hershme të mëngjesit kur edhe nis puna kanë telashe më të mëdha.
“Problematika kryesore tash është me të ftohtë, ky objekt nuk ka nxemje, nuk punon ose sistemi është defekt, ose nuk po dinë ta mirëmbajnë, një problem është. Ne po e kemi vërtetë problem të punojmë, nëpër zyra disi po mund t’ia arrijmë sepse po marrin nxemje të vogla alternative secili për vete, por çka me thënë për salla të gjykimit dhe atje ka shumë palë në procedurë dhe ato vijnë në orët e hershme të mëngjesit dhe në atë temperaturë minus me të vërtet është shumë problem për t’i mbajtur ato seanca…. Sidoqoftë ne po bëjmë përpjekje të vazhdueshme që punën ta kryejmë ashtu siç duhet edhe pse t’iu them sinqerisht disa seanca këto ditë veç janë shtyrë për shkak të kushteve jo të mira të punës”, shprehet Rrustemi.
Kryesindikalisti Rrustemi për KosovaPress thekson se vazhdimisht kanë parashtruar kërkesa që kjo gjendje të rregullohet.
Ai shton se nga përgjigjet që kanë marrë thuhet se brenda këtyre dy muajve edhe çështja e ngrohjes në pallat do të rregullohet.