Visar Azemi: LDK do të investojë në centralin me gaz dhe ta çojë buxhetin në 15 miliardë euro - NACIONALE

Visar Azemi: LDK do të investojë në centralin me gaz dhe ta çojë buxhetin në 15 miliardë euro

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka shpalosur vizionin dhe programin e partisë në një intervistë në emisionin Pressing në T7. Ai ka theksuar se Kosova ndodhet në një ngërç politik, të shoqëruar me izolim dhe mungesë investimesh, por sipas tij, LDK ka një plan konkret për ta ndryshuar këtë situatë.

“Kemi paraqitur vizionin bashkë me programin tonë. Pra, si do t’i japim shpresë këtij vendi dhe qytetarit? Si dalim nga ky ngërç politik ku ndodhet Kosova, nga izolimi, nga prishja e raporteve, nga mospuna dhe mosinvestimet në projekte kapitale? Po tregojmë se çfarë do të bëjë LDK dhe cilat janë projektet konkrete që do ta transformojnë vendin dhe shoqërinë, duke ia dhënë dhe kthyer shpresën këtij populli,” – ka deklaruar Azemi.

Ai ka theksuar rëndësinë e mirëqenies së qytetarëve dhe ka argumentuar se zhvillimi ekonomik është i pamundur pa investime strategjike në sektorë kyç.

“Njerëzit kanë nevojë për mirëqenie. Nuk ka zhvillim ekonomik nëse nuk ndërtohet centrali me gaz. Nuk ka zhvillim ekonomik nëse nuk e rrisim borxhin publik dhe nuk i investojmë të gjitha ato para që na i mundëson edhe ligji për projekte kapitale.” – ka shtuar ai.

Sipas Azemit, LDK ka një plan ambicioz për qeverisjen e ardhshme, ku buxheti i Kosovës mund të arrijë deri në 15 miliardë euro në vitin e fundit të mandatit, ndërsa 5 miliardë euro do të jenë të dedikuara për investime kapitale. Ai ka theksuar se kjo do të sjellë një rritje ekonomike prej 5% çdo vit.

“Është gjynah të mos i kthejmë ato para, ato mjete në investime që do të kontribuojnë në zhvillimin e këtij vendi dhe në mirëqenie.” – ka përfunduar ai.

Lajme të ngjashme