Videoja e papublikuar deri tash e Adem Jasharit: Kë e përmendi dhe çka tha heroi legjendar? - NACIONALE

Videoja e papublikuar deri tash e Adem Jasharit: Kë e përmendi dhe çka tha heroi legjendar?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një video e re e heroit kombëtar, Adem Jasharit, është publikuar gjatë ditës së sotme e ku ai shpreh disa urime domethënëse. Ishte data 7 janar 1996, ose rreth dy vjet e dy muaj para rënies heroike të tij në Prekaz. Çka tha Ademi?

Çdogjë që ka lidhje me komandantin e UÇK-së, Adem Jasharin, na mbush me kurreshtje. Kjo video është e predestinuar që të mbetet gjatë në kujtesën tonë, bash për shkak se është e Adem Jasharit.

Por, çfarë na thotë ajo video?

Me një fisnikëri që e karakterizonte, por me fjalë më të shumta se që shprehte në videot e tjera të publikuara, Adem Jashari uron vitin e ri për një mori njerëzish të ndryshëm, familjarë e shokë në videon e publikuar nga "Gazeta 10".

Familjarët tashmë i njohim të gjithë. S’ka se si të mos i përshëndeste.

E sa i përket shokëve, përmenden disa emra që deridiku i njohim. Është emri i Fehmi Lladrovcit, heroit tjetër kombëtar. Është më pas edhe ai i Ramiz Lladrovcit. Ai përmend edhe emrin Sami, që besohet se është i Sami Lushtakut me të cilin kishte një shoqëri të njohur.

Por, përmend edhe Adem Nurën, një personazh që tha se “e ngjeshte nganjëherë” e për të cilin kishte mall pasi kishte dalë në Shqipëri.

Kjo video nuk përmban mesazhe politike. Është thjesht një urim i Vitit të Ri që besohet se është shpërndarë në formatin e video-kasetave që ekzistonin asokohe.

Një video tjetër kishte bërë bujë të madhe edhe para disa muajve, e që ishte kronikë televizive e RTK-së.

Në atë video, ishte Hamëz Jashari ai që e merrte vëmendjen me fjalët që i thoshte e një interpretim të së cilës ia kishte bërë Nacionale përmes artikullit: “Vetmia e madhe: çka na thotë biseda frymëzuese e Hamëz dhe Adem Jasharit më 1995?”

Lajme të ngjashme