Vetëvendosja informon veç veten për "Statutin" e pranuar të Zajednicës, të premten pritet raportimi i Kurtit në Kuvend
Dikur shkonin aq larg sa që kërkonin edhe “proces verbalet” se çka po bisedohej në Bruksel në dialogun Kosovë-Serbi të publikoheshin, por sot vetë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka shtënë në dorë fshetësisht gjithçka rreth dialogut. Por, sot: Çele guri gojën.
Transparenca dhe llogaridhënia nuk janë virtyte të tyre në raport me publikun të cilit i detyrohen. Por, mes vete, hesapet janë tjera.
Hiç më larg se sot – kur tashmë u njoftua se do të ketë seancë parlamentare të premten ku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të raportojë para deputetëve rreth planit që ka pranuar më 21 dhe 26 tetor – Shefja e Grupit Parlmentar, Mimoza Kusari-Lila tha se deputetët e Vetëvendosjes “janë të informuar rreth përmbajtjes” së Statutit të ri të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, Statut këtë që askush nga opozita dhe as qytetarët e Kosovës s’e kanë parë.
Krejt çka dimë rreth tij, është se ndërmjetësi evropian, Miroslav Lajçak, ka thënë që “nuk tejkalon vijat e kuqe të Palëve të caktuara paraprakisht”; propozicion ky edhe më problematik se ai më 2 maj kur thuhej të gjendjej “një mes” aspak i artë mes “draft-Vizionit” të Kurtit të konceptuar sipas modelit kroat për pakicën serbe dhe Draft-Statutit “thellësisht antikushtetues” në mbi “60 pika” të saj që përbënte “dëshirë të zjarrtë për Republikë Serbe” në Kosovë sipas Kurtit.
Por, Vetëvendosja “është e informuar” ndërkaq e mbarë Kosova, struktura e të cilit shtet varet nga vetë ky Asociacion i Komunave të banuara me shumicë serbe.
Pas mbledhjes së Kryesisës së Kuvendit këtë të hëne u njoftua se të premten Kurti do të duhej të raportojë për planin që ka pranuar dhe Statutin që tashmë është rrugës për t’u zbatuar në praktikë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se ftimi i Kurtit në Kuvend për të raportuar duhet të qartësojë se si u bë që “erdhi deri te ky konkluzion” dhe se duhet të vijë bashkë “me dokumentin që ka pranuar”.
Për atë që Kurti tha se është kërkuar nga “pesëshja” që të ruhet konfidencialiteti i këtij plani dhe Statuti, Gashi tha se “ndërmjetësuesit kaherës kanë pasur kërkesa për diskrecion, por më parë kur nuk janë shfaqur dokumentet, kryeministri i ka quajtur akte tradhtarë”.
Pranimi i këtij dokumenti nga Kurti, tha Gashi, ka konsekuenca për të ardhmen e vendit, rrjedhimisht edhe “duhet të shohim çfarë obligime ka marrë”. Dhe se fakti që tashm është pranuar e bën të pakuptimtë “mbajtjen e fshehtë të saj” sepse “është dokument që do të ketë ndikim në strukturën organizative institucionale të Kosovës”.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se Kurti duhet me doemos të raportojë para deputetëve dhe të qartësojë se çfarë ka dhe çfarë s’ka pranuar; dhe se është “i obliguar” ta bëjë një gjë të tillë.
“Është e rëndësishme që ta kuptojnë qytetarët se me çka është pajtuar Qeveria e Kosovë”, tha Tahiri, teksa shtroi pyetjen: “si do të jetë ai lloj Asociacioni apo Zajednice siç e quanin më parë?”.
Dyshime edhe më të mëdha
Se Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe i hartuar nga Ekipi Menaxhues (2 maj) ishte “pikënisje e rëndësishme” ishte fjalia që kishte ngjallur indinjatë të thellë dhe reagime të ashpra te partia në pushtet, Lëvizja Vetevendosje, ndaj fascilituesit evropian në Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Kjo e shoqëruar me atë që nënkuptohej të ishte kërkesë për “arritjen e një mesi” aspak të artë ndërmjet këtij drafti të hartuar nga deputetja e SNS-së në Parlamentin e Serbisë, Danijella Vujiçiq, dhe “draft-Vizionit” të konceptuar sipas modelit kroat për pakicën serbe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Tonet ndaj fascilituesit ishin ashpërsuar si asnjëherë më parë e që do të kulmonin më 14 shtator si fascilitues që “ka braktisur funksionin e tij prej ndërmjetësi të paanshëm”, jo veç në përmbajtje, por edhe në pozicionin e tij, që jepej për fakt të kryer se “ka marrë anën e Serbisë”; gjë kjo që deklarohej nga vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Hiç më larg se dje – tashmë pas pranimit nga të dyja palët të draftit “evropian dhe modern” të Asociacionit – ndërmjetësi Lajçak dha edhe një fjali të ngjashme për nga përmbajtja; por reagime më s’pati. Tha që drafti i ri është asisoji “që nuk tejkalon vijat e kuqe të Palëve të përcaktuara paraprakisht”.
Kjo qysh në lexim të parë të jep një shije të hidhët. Si mund të pajtohen vijat e kuqe të palëve – pra, përputhja me Kushtetutën e Ksoovës dhe moskrijimi i një niveli të tretë pushteti në Kosovë me kërkesat më robuste për një nivel të ri pushteti ekzekutiv dhe me kompetenca të qarta për komunat të banuara me shumicë serbe të organizuara brenda një institucioni që i përmbledh të gjitha ato siç i kërkon Serbia.
Këtu vështirë se mendja mund të gjejë “vija të gjelbra” përbashkuese krahas “vijave të kuqe” të palëve.