Vetëvendosja humb betejën ligjore me NPB-në për herë të katërt
Lëvizja Vetëvendosje për herë të katërt e ka humbur betejën me Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).
Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit që është marrë më 20 janar e që e posedon Paparaci, thuhet se është refuzuar si i pabazuar propozimi LVV-së në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë ndaj projektit të Ndërmarrjes Publike Banesore për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishte”.
“Nga shkresat e lëndës konstatohet se paditësit-propozuesit e masës së sigurimit, pranë gjykatës së shkallës së parë, kanë paraqitur padi për anulim kontrate për ndërtim të përbashkët të objektit banesor afarist Lrp.4791/2021 ref. 955/2021, me propozim për caktimin e masës së sigurisë,” thuhet në aktvendimi.

Gjykata e shkallës së parë, ka nxjerr aktvendimin ku ka refuzuar propozimin e propozuesit.
Apeli ka vlerësuar se nuk qëndrojnë as pretendimet tjera ankimore të paraqitura në ankesë për shkak se ‘gjykata e shkallës së parë, përfundimin e saj e ka arsyetuar në masë të mjaftueshme sa i përket rrethanave që kanë ndikuar për refuzimin e kërkesës për sigurimin kërkesë-padisë’.
Krejt në fund, Apeli thotë se i ka vlerësuar të gjitha pretendimet ankimore, por se nuk ka gjetur se ekziston “ndonjë shkelje e cila do të ndikonte që vendimi të kualifikohet si i tillë, për çka çështja do të duhej të kthehej në rishqyrtim”.
Projekti për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë”, i cili është iniciuar nga NPB-ja dhe do të ndërtohet në partneritet publiko-privat, ishte pezulluar pas padisë së ushtruar nga Ministria e Ambientit.
Vendimin për pezullim e kishte nxjerrë Ministria e Ambientit në muajin tetor të vitit të 2021’s, pas dyshimeve të ngritura për shkatërrim mjedisor përmes azbestit, gjatë rrënimit të objekteve që ndodheshin në pronën e NPB-së.