"Vështirë me këta protagonistë": Propozimi i Ramës për "konferencë të mbyllur" Kurti-Vuçiq nuk duket kund - NACIONALE

"Vështirë me këta protagonistë": Propozimi i Ramës për "konferencë të mbyllur" Kurti-Vuçiq nuk duket kund

3 vjet më parë

nga NACIONALE

U proklamua për historike, por histori prej saj s’u prodhua. Marrëveshja e Ohrit ka mbetur peng i moszbatimit të palëve. “Historia” e re? Një konferencë e propozuar e formës së “mbyllur në një kështjellë diku” mes po atyre marrëveshësve të pashquar në zbatim, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo e ideuar kohëve të fundit nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili është marrë ekstenzivisht me tensionet e fundit në veri të Kosovës. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, nuk e përjashtoi.

I pari që kishte dyshuar fort në një ide të tillë si të mundshme kishte qenë kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, si mbështetësi primar i marrëveshjes franko-gjermane, që ai kaherë e ka quajtur amerikane dhe e ka avokuar (herë-herë) edhe më shumë se sa vetë Kurti. “Vështirë”, vlerësonte Haradinaj, se ka disponim në administratën amerikane, “që të rikthejnë protagonistët e njëjtë në një ngjarje të tillë”. Këtu ai kishte ndërmend qasjen e Kurtit dhe Vuçiqit ndaj marrëveshjes, ku asnjëri nuk ishte shquar për zbatim të saj në rend të parë.

Sepse, thoshte Haradinaj duke iu referuar qëndrimit të fundit amerikan karshi qasjes së fundit tensionuese të Kurtit në pjesën veriore të vendit, “pozicioni i ShBA’së është mobesim dhe ndëshkim”. Kjo sipas tij, “e dëmton” çfarëdo akti eventual final ose ceremonial për marrëveshjen. Përveç nëse nisin të shihen “të arriturat e para”, besonte ai,

Do të jetë vështirë, në veçanti për administratën amerikane që të rikthejnë protagonistët e njëjtë në një ngjarje të tillë. Në qoftë se pozicioni amerikan është mobesim dhe ndëshkim e shoh pak problematike rikthimin në një akt final ose ceremoni, ose një Dejton. Por, nëse do të ndodhnin sukseset e para të marrëveshjes së arritur dhe do të hapej perspektiva me siguri mund të ftohej në një konfirmim i të arriturave, i një lloj konsolidimi ose ndoshta edhe nënshkrim. Por, ideja që me’u rikthy në një format të tillë, edhe ceremonial, mendoj se është e dëmtume me këto situata”, pati thënë Haradinaj në Pressing.

Kurti, propozimin e Ramës, do ta shpërfillte si “të panevojshëm”. Kjo sepse, sipas tij, tashmë është një Marrëveshje Bazë, dhe se rrjedhimisht duhet thjesht “zbatimi i plotë...në mënyrtë të drejtë...dhe të balancuar” i saj.

Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tani kemi një marrëveshje bazike, nga 27 Shkurti i këtij viti, në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 Marsi në Ohër me aneksin e zbatimit. Krejt çfarë duhet bërë është që pa kushte të implementohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë të drejtë e të balancuar. Kjo duhet të bëhet dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, tha ai këtë të diele.

Ngecjen e marrëveshjes Kosova ia faturon palës serbe por edhe “qasjes së pabalancuar” të ndërmjetësve (me çka nënkupton edhe ShBA-në). Kurti, kërkon që në rend të parë të jetë “njohja ‘de facto’ e ndërsjellë” ndërsa vetëm më pastaj mund të shihet të gjendet modusi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. Serbia, s’do shumë mend, krejtësisht të kundërtën.

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, pyetur specifikisht rreth idesë së një konferncë të stilit të Dejtonit, ku palët do të mbylleshin e të mos dilnin deri në arritjen e plot të një marrëveshje, pati thënë se “kjo gjë veçse ka ndodhur” dhe se ajo ishte bërë në Ohër.

Përveç kësaj, ai ishte mëse i bindur se “deri në fund të veres” Marrëveshja e Ohrit do të jetësohej. “Nuk shoh asnjë arsye pse jo”, pati thënë ai gjatë një qëndrimi në Podgoricë.

Kosova e ka obligim të formojë Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, ndërkaq Serbia duhet t’i përmbush disa elemente siç janë njohja e tabelave të regjistrimit, letërnjoftimet "dhe disa gjëra të tjera". Sipas tij kjo renditja e natyrshme e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila “duhet të ndodh menjëherë tash”.

Lajme të ngjashme