“Veç formalitet, se kurrgjë”: Mashtrimi që s'pi ujë i Kusari-Lilës për 'zotimet' rreth Asociacionit, pse logjika e saj është për gjynah? - NACIONALE

“Veç formalitet, se kurrgjë”: Mashtrimi që s'pi ujë i Kusari-Lilës për 'zotimet' rreth Asociacionit, pse logjika e saj është për gjynah?

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Diçka që duhet bërë, sa për sy e faqe, për ta hequr qafesh, por që në të vërtetë s'ka ndofarë peshe reale; diçka që e lyp zakoni, por që zakonisht pastaj s'e bëjmë.

Ky është zbërthimi semantik i "formalitetit" edhe ne fjalorë shkencor të gjuhës si të Kembrixhit; dhe kështu tha Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duhet kuptuar "zotimin besnikëror" të treshes më të lartë hierarkike të shtetit drejtuar Raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyanis.

Kjo pas raportimit të Nacionales se Bakoyanis ka marrë “besnikërisht zotimin” nga shteti kosovar për përmbushjen e kushteve/kërkesave të përpiluara nga ajo në raportin i cili e shtron rrugën – dhe e rekomandon – për anëtarësimin e Kosovës në organizatën paradhomë të Bashkimit Evropian; përkatësisht Këshillin e Evropës.

E aty pikë prominente – e deklaruar edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit paraprakisht – është Asociacioni i Komunave të populluara me shumicë serbe.

Por, Kusari-Lila u përvjeli mëngët për të “përgënjeshtruar” gjithçka: në rend të parë duke vënë në dyshim “vërtetësinë” e zotimit të krerëve të shtetit të botuar nga Nacionale, në rend të dytë duke e mohuar se kjo përbën zotim për Asociacionin më vete, kësisoji lexueshëm duke e lënduar vetë zotimin e krerëve të shtetit para Asamblesë Parlamentare të KiE e cila pritet të votojë raportin e Bakoyanis në dritën e vetë këtyre zotimeve, dhe e treta; duke mjegulluar si gjoja “formalitet” diçka që është e rrasur në përmbajtje.

Formë pa përmbajtje nuk ka, dhe përmbajtja në atë letër formale është një form-acion zotimesh konkrete. Të shtjellojmë pse, në fakt, Kusari-Lila mashtroi edhe formalisht, se përmbajtësisht po se po.

Në raportin (Opinionin) e Bakoyanis – nga i cili kryekëput varet githçka në procedimin tutje drejt anëtarësimin në KiE – ajo e shkruan sikur dy-plus-dy që bëjnë katër se vetë aplikimi i Kosovës, vetë konsiderimi nga KiE i aplikimit të Kosovës, “për herë të parë në histori të Organizatës, është bërë me lidhje direkte me një proces politik, i cili është në fascilitim nga një organizatë tjetër ndërkombëtare”.

E ky proces politik, thotë Bakoyanis, është Marrëveshja e Bruksel/Ohrit; “rëndësia e së cilës nuk mund të theksohet sa duhet” teksa i referohet Nenit 7 “të vetëmeanxhimit” për komunitetin serb, e cila në marrëveshje është e bazuar në Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, përkatësisht të njohur ndryshe edhe si Karta Evropiane për Autonomitë Vendore.

Teksa Bakoyanis thotë se tashmë për këtë institucion ka një draft-Statut “të cilin kryeministri ma konfirmoi se është i gatshëm ta nënshkruajë” ajo një pasazh më poshtë thotë se “themelimi i Asociacionit duhet të jetë lart në konsideratën në ardhje të Komitetit të Ministrave rreth aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

“Nuk ka nevojë të thuhet”, shkruan Dora Bakoyanis në raportin e saj, “që themelimi i Asociacionit do të peshojë rëndë në hartimin e rrugës evropiane për Kosovën”.

Nacionale raportoi përmbajtjen e letrës së dërguar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ku ata zotohen “besnikërisht” për përmbushjen e kërkesave/kushteve nga Bakoyanis, ku është Asociacioni “prominent në konsideratën e aplikimit të Kosovës në KiE nga Komiteti i Ministrave” si dhe shpronësimet e 118 parcelave në pjesën veriore të Kosovës që përbën po ashtu kusht.

Cilat janë zotimet për Asociacionin?

“Të bëjmë hapa substancialë e të prekshëm me synim të zbatimit të të gjitha neneve të Marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit, që e përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundshme”.

Kjo është shtojca që ka siguruar Nacionale për të cilat veprime janë zotuar krerët institucionalë.

Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar dje ndaj Mimoza Kusari-Lilës për “poshtërsi” në reagim, çka edhe interpretoi si në vijim: “(Mimoza Kusari Lila) shkruan se medemek ky është veç formalitet për ndërkombetarët. Kjo i bjen që, mos mendoni ju qe na p'e themelojmë Asociacionin se veç fore për ndërkombetaret e kemi”.

“Kjo është poshtërsi në dy rrafshe: E para, këtë status të saj e lexojnë ndërkombetarët dhe ata automatikisht e kuptojnë manipulimin e shtresuar të tyre, prandaj edhe i obligojnë në koncesione edhe ua mbajnë sanksionet. Rrafshi i dytë i poshtërsisë është krijimi i iluzionit te votuesi i tyre se këto qe po ua themi ndërkombëtareve nuk janë te vërteta, jane thjesht manipulime kundrejt tyre”, ka shkruar Lirim Mehmetaj.

Lajme të ngjashme