Vdes Sahit Jashari, bashkëluftëtari i komandantit Adem Jashari - NACIONALE

Vdes Sahit Jashari, bashkëluftëtari i komandantit Adem Jashari

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Sahit Jashari, bashkëluftëtari i komandantit Adem Jashari, ka vdekur mbrëmjen e së enjtes.

Lajmi është bërë i ditur nga familjarë të tij:

“Me dhimbje të thellë njoftojmë familjarët, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë dashamirët se ka ndërruar jetë babai ynë, Sahit Jashari.

Babin do ta kujtojmë gjithmonë me krenari për veprimtarinë e tij në shërbim të atdheut, për guximin, përkushtimin dhe kontributin e tij të çmuar. Kujtimi për jetën dhe veprën e tij do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona.

Për kohën dhe vendin e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”.

Ndërkohë, Sami Lushtaku në një shkrim në Facebook, ka thënë se Sahit Jashari dha 13 anëtarë të familjes së ngushtë për rrugën drejt çlirimit.

“Sonte, para pak çastësh, u nda nga jeta një prej burrave më të mëdhenj të kësaj toke, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtari i orëve të para dhe bashkëluftëtari besnik i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe i gjithë ne të tjerëve, Sahit Jashari.

U shua një zemër që rrahu gjithë jetën vetëm për atdheun. Një burrë që nuk njohu frikë, nuk njohu dorëzim dhe nuk kërkoi asgjë për vete. Ai jetoi për Kosovën dhe për lirinë e saj.

I përndjekur e i dënuar nga regjimi i Millosheviçit, ai qëndroi i palëkundur në rrugën e lirisë. Në Epopenë e lavdishme të 5, 6 dhe 7 marsit 1998, ai dha 13 anëtarë të ngushtë të familjes në altarin e lirisë, duke e vulosur me gjak rrugën e Kosovës drejt çlirimit”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme