Vdes ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani
Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vdekur sot.
Nishani prej disa muajsh ishte shtruar në një spital në Gjermani, duke kaluar në vdekje klinike pa mundësi rikthimi.
Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.
Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID e patën lënë me shenja pneumonie në mushkëri.
Gjendja e tij u stabilizuar për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua.
Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.
Nishani, ishte një ushtarak dhe politikan karriere. Ish-presidenti kishte edhe përvojë të rëndësishme akademike, përkatësisht në mësimdhënien ku janë formuar kadetët e Forcave të Armatosura të Republikës.
Kush ishte Bujar Nishani?
Bujar Nishani kishte lindur më 29 shtator të viti 1966 në Durrës, me rrënjë nga Gjirokastra.
Ish-presidenti sapo përfundon arsimin tetëvjeçar nis shkollimin e gjatë në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në fillim të mesmen e më pas shkollën e lartë.
Arsimin e përfundon me rezultate të shkëlqyera, ndaj dhe emërohet si pedagog në universitetin e vetëm ku formohen oficerët e ushtrisë shqiptare. Me rrënimin e komunizmit, pas emërimit në postin e ministrit të Mbrojtjes të Safet Zhulali, Nishani thirret për të punuar në dikasterin e mbrojtjes, si ekspert dhe drejtues i marrëdhënieve me jashtë të këtij institucioni.
Në vitin 1994, si pasojë e punës dhe rezultateve, ai promovohet në zyrën e Ministrisë së Mbrojtjes që merret me marrëdhëniet me NATO-n. Dy vjet më pas, pikërisht në vitin 1996, Nishani thirret për të punuar në kabinetin e ministrit Zhulali, si një nga njerëzit e afërt të tij.
Por karriera zyrtare e ushtarakut, e ish-presidentit shqiptar, do të pësonte një ndalim, si pasojë e ndryshimeve politike në Shqipëri, kur në vitin 1997 në qeverisje erdhën socialistët.
Gjatë qeverisjes së majtë, ai këput lidhjet me uniformën dhe dalëngadalë i futet profesionit të politikanit.
Pas një kohe në profesionin e lirë, Nishani rikthehet aktiv në Partinë Demokratike, anëtar i së cilës ishte bërë që në vitin 1991. Por ngritja në karrierën politike do të jepte sinjalin e parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, kur ai do të aktivizohej vrullshëm.
Puna si aktivist politik do të promovohej me zgjedhjen në një nga postet më të larta të degës së PD-së të kryeqytetit, ku ai u zgjodh në vitin 2001 si sekretar i saj.
Pikërisht struktura më e rëndësishme në terren e opozitës së atëhershme do t’i jepte Bujar Nishanit edhe shtysën përfundimtare për t’u ngritur në majat e politikës së selisë blu.
Në zgjedhjet e korrikut në vitin 2005, Nishani fitoi në mënyrë spektakolare në një zonë zgjedhore të majtë, siç ishte Kombinati, duke konkurruar me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Igli Toska.
I zgjedhur në kryesinë e lartë të PD-së, Nishani nuk u përfshi menjëherë në ekzekutivin e PD-së, por koha do të vinte pas dorëheqjes së Sokol Olldashit si ministër i Brendshëm, si pasojë e humbjes së garës për kryetar bashkie të Tiranës.
Postin e kreut të dikasterit të policisë zoti Nishani e drejtoi deri në zgjedhjet parlamentare të 2009-s, pas të cilave u emërua ministër i Drejtësisë. Por në vitin 2010 do të rikthehej sërish në postin e ministrit të Brendshëm pas dorëheqjes së Lulzim Bashës.
Mandati i presidentit, Nishani e mori më në 24 korrik të vitit 2012 dhe e ka përmbyllur më 24 korrik 2017.