Vdes ish-ambasadori dhe ish-zv.ministri, Anton Berisha
Ish-ambasadori dhe ish-zëvendës ministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha ka vdekur të enjten në moshën 59 vjeçare.
Lajmi është bërë me dije nga familjarë të tij:
“Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar ju njoftojmë se babai ynë i shtrenjtë, Anton Berisha, sot, më datë 2 janar, pas një sëmundjeje të shkurtër, u nda nga kjo jetë, duke lënë pas një boshllëk të paimagjinueshëm në zemrat tona.
Homazhet do të mbahen nesër (3 Janar) nga ora 09:00 deri në orën 12:00, në Kishën Katolike “Shën Katarina” në Pejë.
Varrimi i tij do të bëhet më datë 3 janar, në orën 13:00, në varrezat katolike në Pejë. Ndërsa e pamja do të mbahet më 4 janar në restorantin “Koha 3”, në qendër të qytetit, nga ora 09:00 deri në orën 14:00”.
Kush ishte Anton Berisha?
Berisha për një kohë të gjatë ka qenë i përfshirë në organizime sociale, politike e kulturore, duke përfshirë lëvizjen kombëtare të viteve '90, me misione specifike diplomatike të autorizuara nga presidenti Ibrahim Rugova.
Siç theksohet në faqen e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Berisha ka qenë në gjeneratën e parë të ambasadorëve të karrierës i emëruar në vitin 2009. Ai ka shërbyer si ambasadori i parë i Kosovës në Slloveni
Më pas, ai ka shërbyer në disa pozita të tjera diplomatike si zëvendësministër i Punëve të Jashtme, këshilltar diplomatik i kryeministrit dhe si person diplomatik kontaktues në Selinë e Shenjtë.
Berisha ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku ka shërbyer me focus në sektorin e punëve të Jashtme dhe integrimeve evropiane.
Pas vdekjes së tij, ka reaguar sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Citaku, e cila ka thënë:
“Sa i trishtë lajmi për largimin tënd të parakohshëm, Anton.
Faleminderit për shërbimin tënd të përkushtuar ndaj Republikës së Kosovës.
Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që të deshën.
Pusho në paqe!”.