Vdekja e Agon Zejnullahut: Policia thotë se po "bashkëpunon ngushtë me institucionet me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit"
Vdekja tragjike e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në orët e para të së dielës në Lipjan ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime serioze për sjelljen dhe veprimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Në lidhje me rastin, ku dje u arrestuan 5 zyrtarë policorë, Policia ka dalur me një sqarim rreth kronologjisë së rastit.
Në komunikatë pretendohet se zyrtarët policorë intervenuan pas raportimit të qytetarëve “me qëllim të vënies së situatës nën kontrollë dhe shoqërimit të tij në stacion policor, për shkak të sjelljeve të pakontrollueshme e të rrezikshme, rezistencës aktive dhe vërsuljes për sulm ndaj zyrtarëve policorë, zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin sprej-in policor.”
Sipas policisë, pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, zyrtarët u përballën me një situatë të tensionuar dhe, për shkak të rezistencës së viktimës dhe vërsuljes ndaj tyre, u detyruan të përdorin sprej-in policor në vetëmbrojtje.
“Sjelljet e njëjta sipas raportimit të qytetarëve janë shfaqur edhe në prani të zyrtarëve policorë, të cilët me qëllim të vënies së situatës nën kontrollë dhe shoqërimit të tij në stacion policor, për shkak të sjelljeve të pakontrollueshme e të rrezikshme, rezistencës aktive dhe vërsuljes për sulm ndaj zyrtarëve policorë, zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin sprej-in policor.” – thuhet në reagimin e policisë.
Policia pretendon më tej se paraprakisht zyrtarët e përfshirë në këtë rast kanë tentuar të negociojnë “për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor”, ndërsa, sipas komunikatë, njëkohësisht është kërkuar ndihma e shpejtë mjekësore.
“Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për ti ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë.
Autoambulanca me ekipin mjekësor emergjent, kanë arritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shpejtë (3 min), për ti dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ku më pas njësia emergjente ka konstatuar vdekjen e tij.” – thuhet aty.
Policia gjithashtu bëri të ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur sende personale dhe një substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike.
“Në vendngjarje te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.
Sipas procedurave të parapara ligjore, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore, Prokurori për krime të rënda si dhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Të gjitha provat e siguruara përfshirë edhe pamjet e kamerave që ndihmojnë në zbardhjen e rastit janë ndarë me institucionet relevante, respektivisht me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Me rekomandim të IPK-së janë suspenduar katër zyrtarë policorë dhe një rreshter, të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit, dhe ri cilësimit të veprës, janë dërguar në mbajtje.
Sigurojmë të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është në bashkëpunim të ngushtë dhe të plotë me institucionet relevante me qëllim të zbardhjes së plotë të këtij rasti, epilogu i së cilit do të merret pas përfundimit të hetimeve, ekzaminimeve dhe pranimit të raportit të obduksionit nga Mjekësia Ligjore.
Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve me të gjitha kapacitetet, detyrat dhe obligimet ligjore që ka.” – përfundon komunikata.