Vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë: Kur mund të përfundojë?
Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se do të vazhdojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra komunale të numërimit.
Deri dje, ishin numëruar 73.23% e vendvotimeve.
“Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat është duke vazhduar apo ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, deri në përfundim të ditës së diel, 16 shkurt, janë numëruar 73.23% e vendvotimeve apo 1,855 nga 2,533. Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në 19 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Deçan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut. Procesi i numërimit do të vazhdojë ditën e martë, në 19 Qendra Komunale të Numërimit”, njoftoi KQZ-ja.
Ndaj KQZ-së ka pasur kritika të shumta për vonesën në numërimin e votave. Krejt kjo si pasojë e problemeve të ndryshme teknike që nisën qysh nga mbyllja e qendrave të votimit.
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka treguar disa prej arsyeve pse ka shumë probleme në numërim.
“Në përgjithësi, procesi i numërimit në qendra është shpesh kaotik, për shkak të: Problemeve të vazhdueshme me internetin; Tensioneve mes vëzhguesve dhe komisionerëve; Mospërputhjeve të shpeshta në të dhëna; Stafit zgjedhor të trajnuar dobët, që shpesh ngec për shkak të mungesës së udhëzimeve për rastet e mospërputhjeve; Procedurës së pranimit të materialeve dhe formularëve në sistem, e cila po zgjat deri në një orë”, ka shkruar Cakolli.
“KQZ-ja duhet urgjentisht t’i adresojë këto mangësi, të rrisë kapacitetet dhe të garantojë më shumë transparencë. Në anën tjetër, subjektet politike duhet të nxjerrin mësime nga kjo situatë. Ndryshimet sistemore nuk mund të bëhen pa një analizë të thelluar paraprake. Kosova duhet t’i kthehet numërimit të të gjitha votave në vendvotime, në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare””, tha ai më tutje.
Deputetët më të votuar
Burime të Nacionales kanë bërë me dije se sipas votave të marra në shumicën e vendvotimeve ku ato janë numëruar, ulëset i kanë siguruar Bedri Hamza, Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Enver Hoxhaj, Jakup Nura, Përparim Gruda, Elmi Reçica, Petrit Hajdari, Ferat Shala, Abelard Tahiri, Mergim Lushtaku dhe Rrahman Rama.
Megjithatë, votat e nevojshme mund t’i marrin edhe Altin Krasniqi, Fadil Demaku, Kujtim Gashi, Artan Behrami, Nait Hasani, Ragip Xhaka, Isak Neziri apo Xhevahir Geci.
Ulëset, sipas burimeve të Nacionales, i kanë siguruar edhe Vlora Çitaku, Sala Jashari, Ganimete Musliu, Blerta Deliu dhe Ariana Musliu – Shoshi.
Në garë, ende janë Eliza Hoxha, Kosovare Murseli, Valdete Idrizi, Arbnora Salihu dhe Kristina Gashi Bytyçi.
Mbi votat e kandidatëve për deputet në Partinë Demokratike të Kosovës, Nacionale raportoi edhe gjatë së premtes.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, së bashku me dy nga figurat e njohura të partisë, Doarsa Kica Xhelili dhe Hykmete Bajrami, kryesojnë listën e kandidatëve më të votuar të LDK-së për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në regjionin e Prishtinës, sipas burimeve të gazetës Nacionale.
Pas këtyre emrave të njohur të LDK-së, në njëmbëdhjetshën e kandidatëve më të votuar për deputet renditen: Jehona Lushaku, Kujtim Shala, Avdullah Hoti, Anton Quni, Armend Zemaj, Ekrem Hyseni, Besian Mustafa dhe Paris Guri.
Befasi e madhe rezulton padyshim performanca e Paris Gurit, i cili, ndonëse emër relativisht i ri në politikën kosovare, ka arritur të sigurojë një numër të madh votash.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë mbi 147 mijë vota apo 17.67 për qind, duke u renditur e treta pas Lëvizjes Vetëvendosje me rreth 340 mijë vota dhe Partisë Demokratike të Kosovës me mbi 184 mijë vota.