Vazhdojnë protestat në Francë, policia përgatitet për dhunë të mundshme - NACIONALE

Vazhdojnë protestat në Francë, policia përgatitet për dhunë të mundshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Protestat dhe grevat kundër reformave pensionale në Francë vazhduan edhe të martën. Autoritetet i kanë shtuar masat e sigurisë, pasi qeveria ka paralajmëruar se disa protestues radikalë synojnë që “të shkatërrojnë, të lëndojnë dhe të vrasin”.

Shqetësimi se protestat mund të bëhen të dhunshme e nxiti atë që ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, e përshkroi si dislokim të pashembullt të 13 mijë pjesëtarëve të forcave të sigurisë, gati gjysma të vendosur në kryeqytetin Paris, raporton agjencia “Associated Press”.

Pas disa muajve me pakënaqësi, dalja nga stuhia e protestave të nxitura nga plani i presidentit Macron për ndryshim të sistemit pensional dukej më larg se kurrë më parë. Pavarësisht thirrjeve të sindikatave që qeveria ta ndalte planin për ngritjen e moshës së pensionimit ng 62 në 64 vjeç, duket që presidenti po qëndron ende prapa synimit.

“Secili po bëhet më i tërbuar”- tha Clement Salid, pasagjer treni në stacionin “Gare de Lyon” në Paris, ku binarët u bllokuan përkohësisht nga punëtorët që po protestonin.

Ai tha se e përkrah grevën pavarësisht nga ndikimi i saj në transport dhe në shërbime të tjera. “Unë jam 26 vjeç dhe kam hamendje nëse do të pensionohem ndonjëherë”- tha pasagjeri.

Një pasagjere tjetër, Helene Cogan, 70 vjeçe, tha: “Populli francez është i palëkundur dhe gjërat po dalin nga dora.”

Vala e protestave të martën e shënoi herën e dhjetë nga janari që sindikatat u kanë bërë thirrje punëtorëve që ta lëshojnë vendin e punës dhe të protestojnë rrugëve kundër planeve të presidentit Macron, të cilat i ka bërë prioritet kyç të mandatit të dytë.

Qeveria e tij argumenton se sistemi pensional i Francës do të futet në deficit, nëse nuk i nënshtrohet reformës, për shkak të shkallës më të ulët të lindjeve dhe jetëgjatësisë më të gjatë në shumë shtete më të pasura. Megjithatë, kundërshtarët e tij thonë se mjetet shtesë për pensione do të mund të siguroheshin nga burime të tjera, pa i detyruar punëtorët që të dalin në pension më vonë.

Protestat filluan në mënyrë paqësore të martën në mëngjes dhe turma të mëdha të njerëzve u panë në shumë qytete. Sidoqoftë, policia u përgatit për dhunë më vonë gjatë ditës. Ministri i Punëve të Brendshme tha se mbi një mijë ngatërrestarë radikalë, disa prej vendeve të tjera, mund të ndërhyjnë në protestat në Paris dhe në qytete të tjera.

“Ata vijnë për të shkatërruar, për të lënduar e për të vrarë policë e xhandarë. Qëllimet e tyre nuk kanë të bëjnë asgjë me reformën e pensioneve. Qëllimet e tyre janë që t’i destabilizojnë institucionet republikane dhe të vënë gjak e zjarr mbi Francën”- tha të hënën ministri francez.

Lajme të ngjashme